Kërkimet për shtetasin e tretë të Maqedonisë në ujrat e detit grek, do të vazhdojnë edhe nesër

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Bujar Osmani, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me homologun e tij grek, Nikos Dendias, gjatë së cilës është diskutuar për situatën në kërkim të djalit të zhdukur, shtetasit të Maqedonisë së Veriut në ujrat e detit grek.

Dy persona nga tre sa ishin të zhdukur, tashmë janë gjetur.

Ndërsa, ka ngelur vetëm shtetasi, Martin Jovanoski të gjendet nga autoritetet greke.

Osmani kërkoi vazhdimin e kërkimit përkundër kalimit të afatit të rregullt, gjatë të cilit nga kolegu i tij është njoftuar se është marrë vendim që të vazhdohet kërkimi edhe nesër për personin e zhdukur.

Ligjërisht, sot ka kaluar afati për organizimin e këtij lloji të shpëtimit, ku janë angazhuar Shërbimet Detare Greke, Forcat Ajrore dhe popullata vendase në kërkim të Martinit.

Kujtojmë se operacioni i shpëtimit dhe kërkimi ka nisur pasditen e së shtunës, kur tre shtetasit e Maqedonisë kanë hyrë në det në plazhin e Mitit në Posidi në Halkidiki dhe për shkak të motit të keq janë gjetur në gjendje të pafuqishme për t’u larguar nga bregu.

Disa prej të pranishmëve në plazh kanë vënë re se notarët ishin larguar dhe kanë njoftuar menjëherë shërbimin bregdetar dhe më pas ka nisur aksioni.

Një nga tre shokët, 25-vjeçari Vasil, u shpëtua të shtunën pasi qëndroi rreth dy orë në ujë, ndërsa të dielen u gjet edhe Ivani 30-vjeçar.