Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut s’do miratohet, deputetët japin autorizimin vetëm për kontroll në banesë

Elton Qyno – Syri.Net

Një skenar politik me qëllim përsëritjen e precedentit të votimit më 2017 për rastin e ish-deputetit të PS, Saimir Tahiri, ka shumë mundësi të vihet në zbatim këtë javë nga maxhoranca qeverisëse dhe për rastin penal të Belinda Ballukut.

Përmes forcës së kartonëve në parlament, Partia Socialiste, synon të mos japë autorizimin për arrestimin e Ballukut. Por do verë në zbatim një skenar politik, që të dalë butësisht nga kjo situatë e tensionuar politike, duke pranuar pjesërisht kërkesën e SPAK dhe lejuar ushtrimin e kontrollit të banesës dhe ambienteve private të zyrtares nën hetim Belinda Balluku.

Njësoj siç parlamenti në vitin 2017, refuzoi me shumicë votash kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, ashtu duket se ka për të ndodhur edhe me ish-zv/kryeministren e vendit Belinda Balloku.

Tahiri nuk u arrestua në 2017, për shkak se parlamenti refuzoi t’i japë prokurorisë, autorizimin për arrestimin e tij. Por në muajin Maj 2018 ndaj tij, Gjykata e Krimeve të Rënda, vendosi masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Por një gjë e tillë ndodhi vetëm pasi ai vendosi të lerë mandatin e deputetit dhe të dalë si qytetar i lirë.

Tashmë maxhoranca qeverisëse e vendit, është thuajse në të njëjtën situatë të vështirë politike si më 2017. Ku si në atë periudhë dhe tashmë në 2026, duhet të mbrojë një emër të njohur të politikës qeverisëse të Partisë Socialiste, si Belinda Balluku.

Situata e ndërlikuar vjen në kulmin e rritjes së tensioneve politike mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike,ku sebepi i kësaj përplasje është bërë kërkesa e SPAK për dhënien e autorizimit me qëllim arrestimin e ish-zv/kryeministres, Belinda Balluku.

Paralelisht me debatin politik, opozita është përfshirë në protesta të forta, duke kërkuar sistematikisht shkarkimin e Belinda Ballukut, dhe mos bllokimin e autorizimit të SPAK, për arrestimin e saj.

Njëherësh opozita, gjatë kësaj kohe ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke gjetur si zgjidhje qeverisjen teknike dhe futjen e vendit në zgjedhje të reja parlamentare. Ndryshe sipas opozitës protestat nuk do të ndalen.

Nga ana tjetër Komisioni i Mandateve të Deputetit dhe vetë zërat e maxhorancës qeverisëse, kanë deklaruar publikisht se ndaj Belinda Ballukut, është në fuqi një masë sigurimi i “Kufizim ndalimit jashtë shtetit”.

Ndërsa ka një masë tjetër të pezulluar në Apel, siç është “Pezullimi nga detyra i funksionarit të lartë publik”.

Në total janë dy masa sigurimi, që për Partinë Socialiste janë të bollshme dhe nuk mund t’i jepet autorizim SPAK-ut për caktimin e një mase tjetër sigurimi, siç është masa ekstreme “Arrest në burg” dhe “Arrest në shtëpi”.

Ndaj nisur nga kjo situatë juridike, pritet që këtë javë maxhoranca qeverisëse duke shfrytëzuar forcën e kartonëve në Parlament, të verë në zbatim një skenar duke mos pranuar kërkesën e prokurorisë SPAK për dhënien e autorizimit për arrestim e Belinda Ballukut.

Skenari i qeverisë është për një miratim autorizimi me qëllim lejimin e kontrollit të banesës së Belinda Ballukut.

Kjo e fundit akuzohet dhe është vënë nën hetim nga SPAK për akuzën e “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” në të paktën 8 procedura tenderuese nga ndërtimi i tunelit të Llogarasë deri te 7 lotet e ndërtimit të “Unazës së Madhe” në Tiranë.

Sipas dosjes së SPAK thuhet se:

“…në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues…”.

Balluku, së bashku me të pandehurit e tjerë që ishin pjesë e komisionit të vlerësimit të ofertave, Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica “…kanë paracaktuar fituesit e kësaj procedure prokurimi, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues…”.

Por pas këtij hetimi një dosje paralele është hapur nga SPAK, duke kryer veprime hetimore në drejtim të hetimit pasuror për Belinda Ballukun dhe anëtarë të tjerë të familjes dhe rrethit shoqëror të saj.

© SYRI.net