Kërçovë, Krushina e shkatërruar, banorët të revoltuar!

Ky vend dikur ka qenë një parajsë e vërtetë dhe është vizituar nga ekipe sportive të ndryshme të vendit, por edhe nga kerçovarët të cilët e kanë shfrytëzuar për sport e rekreacion. Objekti ka qenë hotel dhe restorant për të gjithë ata që e pëlqejnë natyrën.

Ndërsa sot shohim objekte thuajse të shkatërruara, mbeturina gjithandej, gjethet e vjeshtës të papastruara. Kjo është pamja e kohës së fundit në Krushinë.

Ka një kohë të gjatë që përveç qendrës për sport këtu nuk funksionon asgjë tjetër, vendi është nën kompetenca të Ministrisë së Mbrojtjes.

Banorët nuk kanë aspak shpresa se ky vend do të bëhet siç ka qenë më parë.

“Unë nuk jam shumë optimist, unë jam nga Eko partia e gjelbër këtu vi shpesh me qese mbledhim mbeturina, ajo që ishte Krushina më parë ku të gjithë dilnim pa dallim feje dhe nacionaliteti këtu ishte parajsë për sytë, kënaqeshim, të rinjtë shoqëroheshin, me të vërtet ishte qendër rekreimi për sport, megjithatë nuk e di pse e lanë kështu, nuk ia japin në koncesion askujt”, tha një banor.

“Më përpara, të vjetrit kishin një thënie ”Zoti ec në tokë” dmth gjithçka ishte e bukur kishte terasë jashtë, muzikë, vinin ekipe të futbollit, të rakometit, hendbollit vinin ekipet. Me rrënimin e ish-Jugosllavisë gjithçka mbeti si të gjitha industritë dhe gjithçka mbeti jo e bukur. Së fundmi kam dëgjuar se është nën kompetenca të ARM-së”, u shpreh një tjetër banor.

Kryetari i Komunës së Kërçovës Fatmir Dehari kërkon që ky lokacion i rëndësishëm për kërçovarët të kalojë në kompetenca të komunës. Por nga Ministria e Mbrojtjes siç thotë Dehari nuk ka marrë ndonjë përgjigje konkrete.

“Nuk kam pasur ndonjë qëndrim të prerë po ose jo, megjithatë unë vazhdoj të insistoj që objekti apo lokacioni i Krushinës të kalojë në kompetencë komunale dhe pastaj ne të hartojmë projektin e nevojshëm për atë lokacion”, deklaroi Fatmir Dehari – Kryetar i Komunës së Kërçovës.

Por siç duket nga Ministria e Mbrojtjes janë gati të vendosur sa i takon këtij lokacioni. Ata për TV21 thonë se po analizojnë opsionet për rinovimin e objekteve dhe vënies së atij lokacioni në shërbim të ushtrisë.

“Ministria e Mbrojtjes i analizon të gjitha opsionet rreth objekteve në vendin Krushinë të Kërçovës. Bëhen vlerësimet për mundësinë e investimeve dhe mirëmbajtjen e objekteve të cilat do të viheshin në shërbim të nevojave të Armatës. Nga zyra e Forenzikës kërkuam të vlerësonte pasuritë e patundshme. Analizat janë duke vazhduar dhe vendimi do të merret në koordinim me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.

Ndërsa kjo rrugë për të cilën TV21 ka raportuar disa herë vazhdon të mbetet e pa asfaltuar. Nga Ndërmarrja Shtetërore për rrugët e Maqedonisë, premtuan fillimin e punimeve për fundin e muajit gusht më pas për në shtator por edhe pse kemi hyrë në vitin 2021 në këtë rrugë nuk është prekur asnjë gur i vetëm./TV21