Kërçova mbetet e paprekur nga koronavirusi

Në Kërçovë, ende nuk ka persona të infektuar nga Kovid-19, por të gjitha masat e nevojshme po merren dhe situata po monitorohet vazhdimisht. Komuna e Kërçovës do të ndihmojë policinë me dy automjete, të cilat do të jepen për përdorim të përkohshëm. Trupi koordinues i Komunës së Kërçovës sot i vizitoi pikat e kontrollit mjekësor në Shtëpinë e shëndetit.

“Trupi koordinues i Komunës së Kërçovës sot vazhdoi me takime për të parë situatën e sigurisë në Kërçovë, por kësaj radhe me disa anëtarë vizituam pikat e kontrollit mjekësor të vendosura në ambientet e Shtëpisë së shëndetit”, informoi zëdhënësi i komunës së Kërçovës, Emin Nasufi. Ai shtoi se po merren masa për të siguruar një vend për karantinë për qytetarët e infektuar me Kovid -19.
“Policia dhe shërbimet spitalore janë të gatshme, së bashku me vetëqeverisjen lokale. Komuna e Kërçovës po merr të gjitha masat për t’u
mbrojtur nga Kovid-19. Me kërkesë të Departamentit të Punëve të Brendshme nga Kërçova, komuna jep për përdorim të përkohshëm dy
automjete, në pronësi të Komunës së Kërçovës, të cilat do t’ju shërbejnë nevojave të tyre deri në përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme me koronavirusin”, njofton Nasufi.

Komuna po përgjigjet gjithashtu edhe ndaj kërkesave të organeve të tjera të përfshira në parandalimin e koronavirusit brenda dhe rreth qytetit të Kërçovës.