Kërcënohet me vdekje Osman Stafa, AGSH: Rasti të hetohet me urgjencë

Sipas dëshmisë së gazetarit, kërcënimi dyshohet se lidhet me një material filmik të realizuar dhe publikuar prej tij gjatë protestës së 8 shtatorit pranë Parlamentit. Në këtë material, Stafa kishte dokumentuar veprimet e disa personave civilë gjatë ndalimit dhe arrestimit të një protestuesi.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka dënuar me forcë kërcënimin dhe ka shprehur shqetësimin ethellë për sigurinë e gazetarit.

AGSH e konsideron kërcënimin me vdekje, veçanërisht kur lidhet me ushtrimin e detyrës dhe publikimin e materialeve me interes publik, si një sulm të rëndë ndaj sigurisë së gazetarit, lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.

Shoqata i ka kërkuar Policisë së Shtetit dhe organeve të drejtësisë të veprojnë me urgjencë për identifikimin e personit ose personave që qëndrojnë pas llogarisë nga e cila është dërguar kërcënimi.