Kërcënimi ndaj kryeministrit, grafitet në veri – eksperti i sigurisë: Perëndimi në gjumë

 

Gjatë së shtunës, u raportua se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ishte kërcënuar gjatë qëndrimit të tij në Maqedoninë e Veriut.

Lidhur me rastin ka folur edhe vet Kurti.

Ai ka thënë se gjatë qëndrimit në Shkup, nuk është ndier i rrezikuar, por e ka parë se ka pasur shumë forca policore që u përkujdesën për mbledhjen e mbajtur në Shkup.

“Unë kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët kanë rrënjët në Beograd, por unë sapo erdha nga Shkupi këtu. Nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë se kishte shumë forca policore që u përkujdesën për mbledhjen e mbajtur në Shkup”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq sot në mëngjes, në katër komunat veriore u raportua se janë hasur grafite me ngjyrat e flamurit serb.

Rreth këtyre dyja rasteve ka reaguar eksperti i sigurisë, Agim Musliu.

Musliu tha se “Perëndimi është në gjumë”.

“Gjersa, krejt Evropa dhe SHBA janë këtë vit në zgjedhje, e ndoshta edhe Kosova, Serbia tashmë s’e ka këtë hall, sepse i ka vjedhë zgjedhjet. Putini po siguron mandat jetësor!”, tha ai.