Keqpërdorimi i veturave zyrtare, s’ka përgjegjësi

Derisa në opinion u shfaq edhe një aferë tjetër ku dyshohet për tenderë të kurdisur nga funksionarët e BDI-së, siç është tenderi i ministrit të Punëve të Jashtme Bujar Osmani me të cilin i janë ndarë 1,8 milion euro kompanisë e cila është donatore e BDI-së, ende nuk janë zbardhur dhe nuk kanë epilog gjyqësor edhe aferat e mëparshme.

Kur bëhet fjalë për ministrin Bujar Osmani, kohë më parë Komisioni për Anti korrupsion, në Ministrinë e Punëve të Jashtme konstatoi edhe shkelje të tjera dhe dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Antikorrupsioni konstatoi se ministri Bujar Osmani i ka përdorur veturat e ministrisë për aktivitete partiake. Po ashtu, anikorrupsioni ka konstatuar se në Ministrinë e Jashtme nuk ka evidencë për atë se si kjo ministri e harxhon naftën për automjetet zyrtare. Por deri më tani nuk është ngritur asnjë procedurë hetimi për këto konstatime të Komisionit për anti korrupsion.

Kohë më parë në opinion dolën edhe aferat për pasurimin e familjarëve të kreut të BDI-së Ali Ahmeti. Skandalet korruptuese “shpërthyen” kur në opinion u shpërnda informacioni se nipi i tij, Drin Ahmeti, pa investuar asnjë qindarkë, në bashkëpunim me investitor nga Shqipëria kanë blerë Qendrën tregtare Soroavia në Qendër të Shkupit. Drini u bë bashkëpronare me 39% të aksioneve të këtij objekti afarist pa investuar asnjë qindare, ndërsa fiton kapital prej dhjetëra milion euro.

Por më pas emisioni investigativ KOD, zbuloi pemën e kompanive të familjarëve të Ali Ahmetit, të cilët janë të përfshirë në biznese në Maqedoni, disa prej të cilave përfitojnë edhe tenderë shtetëror. Përveç nipërve të Ali Ahmetit, në disa kompani bashkëpronar shfaqet edhe djali i Ali Ahmetit, njëra prej të cilave për prodhimin e energjisë elektrike. Ndërsa pjesë e pemës së kompanive të familjes Ahmeti të zbuluara nga KOD janë edhe kompanitë e vajzës dhe dhëndrit të kreut të BDI-së, Kushtrim Smajlaj, i cili është me prejardhje nga Gjakova, është pronar i një kompanie me adresë në komunën e Kisella Vodës e cila është e përfshira edhe në biznese ndërtimi.

Dyshime për keqpërdorim të detyrës në opinion u shfaqën edhe për zv/kryeministrin Artan Grubi. Kjo pasi u dogj vetura e tipit Audi, e cila përdorej privatisht nga ai. Pas djegies së veturës në opinion u shpërndanë më shumë informata dhe dyshime. Grubi mohoi se vetura është e tij, por tha se është e një miku të tij biznesmen i cili ia ka dhënë për tu shërbyer. Por pas djegies së veturës të gjithë funksionarët e BDI-së në reagimet e tyre thanë se vetura është e Grubit. Më pas opozita deklaroi se pronari në emrin e të cilit qëndron vetura, ka kompani e cila e ka blerë për shumë pakë para hotelin në Kodër të Diellit nga kompania e cila fitoi tenderin për Autostradën Shkup-Bllacë. Por për të gjitha këto afera ende nuk ka epilog nga organet e ndjekjes penale. /alsat.mk