“Kemi më shumë se 61 deputetë”, Kurti i bindur se me pakicat mund ta bëjë Qeverinë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se i ka numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë së re. Prandaj, ai mori përgjegjësinë e plotë për formimin e këtij institucioni, duke shtuar se s’ka ndonjë mëdyshje për votat e deputetëve nga pakicat joserbe me të cilët ka bashkëpunuar në të kaluarën.

Ai tha se bashkë me ta e kalon numrin e nevojshëm të deputetëve për të votuar Qeverinë.

“Por, gjithashtu edhe partitë e pakicave që kanë qenë në të kaluarën bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje, ne s’kemi asnjë arsye për të besuar se nuk do të jetë sërish njësoj. Kështu që jo vetëm që kemi 53 deputetë si Lëvizje Vetëvendosje, por njëkohësisht i kemi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Republikës, madje kemi më shumë se edhe 61, që është minimumi i nevojshëm”.

Megjithatë, Kurti s’tregoi nëse pas konstituimit të Kuvendit do të procedojë menjëherë me zgjedhjen e Qeverisë.

“Ne jemi të interesuar që t’i japim kohë diskutimeve, konsultimeve, që legjislatura të ketë jo vetëm kryetar dhe qeveri, por edhe president”, tha Kurti sot para gazetarëve pas takimit që pati me kryetarin e PDK’së, Bedri Hamza.

Por, Kurti tha se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, s’e ka e vetme përgjegjësinë për gjetjen e zgjidhjes për Presidentin.

“Për qeverisje, përgjegjësia bie mbi ne, por për zgjedhjen e presidentit të gjithë kemi përgjegjësi”.

Qëndrimin për Presidentin Kurti u duk se nuk e ka ndryshuar. Ai tha se Kushtetuta e kërkon një figurë që “s’është i asnjë partie politike, dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale”.

Para zgjedhjeve, Kurti e kishte propozuar Feride Rushitin si një figurë e tillë konsensuale.