Këmbëngulja e jashtëzakonshme e Kurtit nga takimi me Vuçiq që ishte “buzë incidentit”

Gjatë ditës së martë është mbajtur takimi në Bruksel ndërmjet palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, pas pezullimit të dialogut deri më tani.

Në këtë takim, Kosova është përfaqësuar për herë të parë nga kryeministri Albin Kurti, i cili ka qenë përballë presidentit serb, Aleksandër Vuҫiq.

Ky i fundit është përballur me radhë me krerë të ndryshëm të shtetit të Kosovës, duke filluar nga Hashim Thaҫi, Isa Mustafa, Avdullah Hoti.

Ndonëse ishte paraparë tjetër agjendë në takim, Kurti ia ka përplasur në fytyrë Vuҫiqit çështjen e të pagjeturve dhe padinë për gjenocid. Po ashtu, ai kishte pyetur presidentin serb se kur do ta njohin Kosovën.

Këto deklarata të Kurtit kanë befasuar palën serbe, pasi ka pasur reagime të shumta.

Vet president serb, Aleksandër Vuçiq ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dashur të flas për Asociacionin por për të pagjeturit dhe se i ka thënë se do ta bëjë padinë për gjenocid.

Njohësit e çështjeve juridike kanë folur rreth asaj nëse Kurti mund të përgatit padinë për gjenocidin serb në luftën e fundit në Kosovë.

Zekaj: Kosova nuk ka kapacitet për të ushtruar padinë për gjenocid ndaj Serbisë

Kështu, Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se Kosova nuk ka kapacitet për të ushtruar padinë për gjenocid ndaj Serbisë, pasi nuk është anëtare e OKB-së dhe si e tillë nuk mund të jetë palë paditëse në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Image
Yll Zekaj
Foto galeri

“Në aspektin juridik, Kosova nuk ka kapacitet për të ushtruar padi për gjenocid ndaj Serbisë, padi e cila do të konsiderohej e pranueshme nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Kjo për shkakun se Kosova nuk është anëtare e OKB-se rrjedhimisht nuk është anëtare e Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe si e tillë nuk mund të jetë palë paditëse në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka theksuar Zekaj.

Sipas tij, në aspektin politik, një veprim i Kosovës pa koordinim me SHBA-në dhe BE-në, mund ta sjellë vendin në situatë të pafavorshme.

“Kurse në aspektin politik, çdo veprim i njëanshëm pa koordinim me SHBA-në dhe BE-në, te cilat janë të lidhura ngushtë me rrugëtimin e Kosovës dhe konsolidimin e shtetësisë së saj, mund të jetë kundër produktive dhe ta sjellë Kosovën në situatë të pafavorshme”, ka deklaruar Yll Zekaj për “Bota sot”.

Burjani: Kurti po kthen dialogun në pikën zero

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se qasja e Kurtit në dialog është problematike, pasi ai po e kthen në pikën zero.
Image
Blerim Burjani
Foto galeri

“Qasja e Kurtit në dialog është kthim në piken zero, tash a do të arrijë të vendos konturë të re dialogu apo pas një viti të izolohet nga BE dhe SHBA pritet të shihet tash është vetëm hapi i parë, i cili nuk është premtues ndryshe apo konstatohet si stagnim dhe paperspektivë për një marrëveshje të re, pra është problematike”, është shprehur Burjani.

Ai thotë se tani përveҫ Serbisë problematike, mund të bëhet edhe Kosova problem në këtë aspekt.

“Edhe ashtu Serbia ishte gjithmonë problemi kryesor por tash mund të bëhet edhe Kosova, pasi që Serbia me Kurtin s’ka perspektivë për dialog e as për zgjidhje”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, kryeministri Kurti nuk do e lejojë Asociacionin e komunave serbe në Kosovë, mirëpo ka një tjetër plan për këtë.

“Pra nuk shoh ndonjë zgjidhje fare në këtë kontekst, si u nis ky dialog. Asociacioni nuk do të bëhet është konstatim i kohës së sotme, më vonë pritet të shihet. Kurti Asociacionin do ta zëvendësojë me një shoqatë ngjashëm që e ka Lugina, Këshilli Nacional me kompetenca të njëjta”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.