Xhudistja e njohur botërore, fituesja e medaljes së parë të artë olimpike në “Rio 2016”, Majlinda Kelmendi, sot zyrtarisht ka përfunduar karrierën e saj si xhudistë, për të vazhuar tutje me angazhime të tjera.
Kelmendi, ka thënë se ka qenë nder e privilegj ta përfaqësojë Kosovën dhe popullin kosovar, duke shtuar se i ka treguar botës se sa vlera ka ky popull.
“I kemi kallëzu botës sa shumë kemi vlera si popull”, ka thënë Kelmendi.
Kelmendi foli edhe për familjen e saj, për të cilët tha se është hera e parë që marrin pjesë në evente për të. Majlinda po ashtu tregoi edhe për cilësitë që i ka trashëguar nga secili prej familjarëve të saj.
“Jam Majlinda Kelmendi kam lind në vitin 1991 në Pejë, vij nga një familje gjashtë anëtareshe, është hera e parë që familja ime është këtu me mu, na e dimë sa duhem nuk e kam pa të arsyeshme që me i përmend sa herë dalë.. Modestinë e kam trashëgu prej babit, egon e shpirtin luftarak e kam tashëgu prej mamit, ajo është gru po ka burrni sa shtatë burra, kështu i them unë. Butësinë dhe qetësinë prej vëllait. Motra e madhe, Adelina, më ka rritë, saqë kam nisë edhe me e thirrë mam. Me Kaltrinën ka nisë gjithçka, ajo është një vjet ma e madhe se unë po atë ditë e sot i mbaj mend shpullat e saj, Kaltrina sot thotë ti je kush je se unë të kam qu me ushtru xhudo, dhe ka të drejtë. Një person i rëndësishëm për mu është edhe gjyshja ime është engjëlli im mbrojtës”, ëshët shprehur medalistja e artë botërore.
Ajo foli edhe për trajnerin e saj Driton Kuka, për të cilin tha se do i jetë mirënjohëse deri në frymën e saj të fundit
“Toni Kuka e ka ba shpirtin tim luftarak, Shumë njerëz nuk e kuptojnë pse Toni është i lidhur emocionalisht me mua, unë prej 8 vjeç kam fillu me ushtru xhudo prej fillimit e deri më sot ai ka qenë trajneri jem”.
“Me folë për Tonin nuk mjaftojnë as ditë, as javë as muaj. Zoti të ka qu te unë ose unë kam ardhë te ti..Kam me kanë mirënjohës deri të vdes, kam me u mundu me të ba krenar ty deri sa të jam gjallë”, ka thënë xhudistja.
E për Distria Krasniqin tha se njihet që 14 vjet me të dhe për të ajo është xhudistja më e madhe në botë.
“Me Disin kemi qenë për 13 a 14 vjet, ka qenë partnerja jem ndërsa medalistja aktuale olimpike dhe xhudistja ma me madhe në botë për mu”, ka thënë Kelmendi.
E për mbështetësit e saj ajo tha se ka bërë gjithcka që të mos i zhgenjejë.
“Unë jam për ju heroinë, mor duni me ditë që motivi ma i madh për mu jeni ju, kam jep 200 për qind prej vetes për mos me ju zhgënjy e me ju ba krenarë”, ka përfunduar Kelmendi./ Klankosova.tv