Keçi: Kosova me plot mungesa, shpresojmë të fitojmë

Synaj Keçi ndihet i shqetësuar për mungesat e Kosovës në ndeshjen e sontme me Greqinë, shkruan Gazeta Express.

Trajneri kosovar, i ftuar në emisionin sportiv në T7 thotë se kosovarët do ta kenë të vështirë të fitojnë ndaj grekëve, por ndërkohë shpreson që “Dardanët” të mos pësojnë debakël.

“Kosova do të luajë me formacion të ngjashëm. Më së vështiri është për selektorin, kur mungojnë 10 futbollistë. E kemi një formacion kualitativ, edhe pse kemi shumë mungesa. Gjithmonë kemi qenë optimistë, shpresojmë të luajmë mirë dhe të nxjerrim rezultat të favorshëm. Kemi 5 humbje e 1 barazim, e Greqia 5 humbje e 1 barazim. Por, futbolli është i paparashikueshëm. Shpresojmë të nxjerrim rezultat të favorshëm”, theksoi fillimisht trajneri i Llapit.

“Nuk ka kompaktësi në ekip, ka grupe, ka klane. Kjo ndodh kur skuadra nuk ka rezultate. Ndoshta ka pasur konflikte edhe më herët në mes të lojtarëve, por janë harruar pas rezultateve pozitive. Tash krejt përgjegjësitë bien në selektorin Challandes. Ai duket më nervoz dhe po sillet sikur ne nuk dimë për futboll. Me një fitore sot do ta bënim një hap të madh. Por, Greqia ka ekip me traditë. Shpresoj të mos pësojmë debakël”, vazhdoi ai.