Komisioni Evropian i ka kërkuar transportuesve të Ballkanit Perëndimor të përdorin mekanizmat ekzistues ligjorë për hyrje në Zonën Schengen. Brukseli thotë se i kupton problemet e shoferëve, por rregullat vlejnë për të gjithë dhe nuk ka përjashtime.
“Ne i inkurajojmë partnerët nga Ballkani Perëndimor të përdorin mundësitë për viza afatgjata dhe leje qëndrimi, si dhe fleksibilitetin e parashikuar nga rregullat e Schengenit, sidomos për punonjësit që kalojnë kufirin”, tha Gijom Mercie, zëdhënës i Komisionit Evropian.
Transportuesit, pas mesazhit nga Brukseli, shohin shpresë në takimin e dytë të grupit punues më 23 shkurt dhe shpresojnë të bindin BE-në se shoferët nuk mund të trajtohen si turistë apo migrantë.
“Nëse shoferi njihet si profesionist, çdo numërim i mëtejshëm i ditëve si turist, migrant apo vizitor, nuk ka logjikë. Deri tani kemi marrë përgjigje nga ambasadat e Spanjës dhe Hungarisë, ku thuhet se vizat e tyre janë të kufizuara nga 80 deri në 190 ditë dhe vlejnë vetëm në territorin e tyre. Kjo nuk përputhet me rekomandimet e Komisionit Evropian”, tha Biljana muratovska, asociacioni Makam-Trans.
Nuk dihet nëse do të ketë protesta apo bllokada në kufij. Muratovska thotë se çdo vend do të vendosë vetë, por vendosin edhe transportuesit që ajo përfaqëson.
Si masë e përkohshme, transportuesit kanë propozuar që ditët e kaluara në tranzit të mos numërohen, për të shmangur vulat e zeza sipas rregullit 90 ditë brenda 180 ditëve.



