KE-ja për bllokimin e kuvendit: Partitë të jenë konstruktive

Ngjarjet e ditëve të fundit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut janë komentuar sot edhe nga Komisioni Evropian. Zëdhënësja e këtij komisioni, Ana Pisonero duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në konferencën e sotme, iu bëri thirrje të gjitha partitë që të bashkëpunojmë dhe të jenë konstruktive.

ANA PISONERO, KOMISIONI EVROPIAN

“Ju bëjmë thirrje të gjithë forcave politike në Kuvend të punojnë së bashku, në mënyrë konstruktive, për të çuar përpara reformave evropiane në interes të qytetarëve”.

Ndërkaq, duke folur për rastin e emërimit të klubit kulturor bullgar sipas figurës Vanço Mihajllov, e cila nga pala maqedonase perceptohet si kontraverse, Pisonero inkurajoi palët për raporte të mira fqinjësore dhe zgjidhje të kontestit bilateral, në mënyrë që të zhbllokohet procesi eurointegrues.

ANA PISONERO, KOMISIONI EVROPIAN

“Ju e dini shumë mirë se pozicioni ynë në lidhje me respektimin e dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, sundimit të së drejtës dhe kuptohet të drejtat njerëzore janë vlera fundamentale të BE-së dhe ne do të theksojmë rëndësinë e raporteve të mira fqinjësore. Ne vazhdojmë të inkurajojmë Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët për kontestin bilateral, që të mund të ecim përpara me hapjen formale të negociatave qasëse, të cilat ne shpresojmë se mund të fillojnë sa më shpejtë të jetë e mundur”.

Kujtojmë se muajin e kaluar në Manastir u hap qendra kulturore bullgare “Vanço Mihajllov”. Në hapjen e tij ishin prezent edhe kryeministri bullgare dhe nënkryetarja e Bullgarisë. Kjo ngjarje nxiti reagime të shumta në opinion, ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut e cilësoi si provokim.