Më 17 korrik 2022, ministrat e Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Teodora Gençovska dhe Bujar Osmani, nënshkruan Protokollin e Dytë, i cili më pas u shndërrua në pengesë në rrugën integruese të Maqedonisë së Veriut.
Në emër të progresit të pretenduar, deri te regresi i plotë. Kjo është trajektorja e dokumentit që katër vjet më parë u nënshkrua në Sofje nga shefat e diplomacisë maqedonase dhe bullgare, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, pas mbledhjes së dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar.
Formimi i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar ishte detyrim që buronte nga neni 12 i Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim, e nënshkruar mes dy vendeve më 1 gusht 2017.
Marrëveshja parashikon që komisioni të mblidhet një herë në vit për të shqyrtuar zbatimin efektiv të saj, për të ndërmarrë masa për përmirësimin e bashkëpunimit dypalësh dhe për të zgjidhur çështjet që paraqiten gjatë zbatimit të marrëveshjes. Pas një takimi të tillë katër vjet më parë u nënshkrua Protokolli i Dytë, i cili u bë burim i bilateralizimit të procesit integrues të Maqedonisë së Veriut.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.



