Katër deputetë iranianë janë infektuar me koronavirusin e ri

Katër ligjvënës iranianë janë infektuar me koronavirusin e ri, teksa ky virus po përhapet me shpejtësi në Iran, duke detyruar autoritetet që të anulojnë mbajtjen e Lutjeve të së Premtes në shumë xhami në mbarë vendin.

Mohammad Ali Vakili, anëtar i presidiumit parlamentar, tha përmes një postimi në Twitter se katër deputetë janë infektuar me koronavirusin e ri.

Disa zyrtarë të tjerë të lartë iranianë po ashtu janë infektuar me virusin, përfshirë edhe zëvendëspresidentin iranian, Masoumeh Ebtekar.

Njoftimi se katër deputetë janë infektuar me koronavirusin, vjen në kohën kur numri zyrtar i vdekjeve është rritur nga 8 në 34 vetëm në 24 orët e fundit. Ndërkaq, 388 persona të tjerë janë testuar pozitiv me koronavirusin e ri.

Por, shërbimi persian i BBC-së ka thënë se burimet e saj kanë njoftuar se të patën 210 persona kanë vdekur nga koronavirusi i ri. Ministria e Shëndetësisë në Iran ka hedhur poshtë këto raportime.

Zyrtarët në Iran po akuzohen se po fshehin shkallën e vërtetë të përhapjes së koronavirusit në vend.