Megjithëse kanë kaluar më shumë se një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të 9 shkurtit ende nuk ka hapa konkretë për formimin e institucioneve.
E vetmja lëvizje që ka ndodhur është ajo e krerëve të subjekteve politike opozitare, të cilat kanë zhvilluar një takim.
Mbajtjen e një takimi të tillë e konfirmoi për “Gazeta Blic” edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
A mund të kemi një Qeveri të opozitës nëse Lëvizja Vetëvendosje, si parti e parë që ka dalë në zgjedhje, nuk arrin t’i bëj numrat.
Në lidhje me këtë temë ka folur për “Gazeta Blic” profesori universitar, Ardian Kastrati.
Kastrati tha se një qeveri e formuar nga partitë opozitare është urgjente dhe e domosdoshme.
Ai potencoi tutje se liderët e partive opozitare duhet të pajtohen urgjentisht për formimin e qeverisë së re.
“Nuk duhet diskutuar nëse një qeveri e opozitës është e nevojshme, ajo është urgjente dhe e domosdoshme. Arsyet dihen, sepse Qeveria Kurti ka shkaktuar dëme të mëdha për Kosovën, duke përfshirë izolimin ndërkombëtar, sanksionet, rënien e ekonomisë dhe rrënimin e perspektivave për të rinjtë, çka ka sjellë shpopullim masiv.Liderët e opozitës duhet të pajtohen urgjentisht për formimin e qeverisë së re” deklaroi Kastrati.
Kastrati tha se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë bërë një opozitë të dobët gjatë katër viteve të fundit dhe se të njëjtit tani kanë mundësi ta rikuperojnë situatën duke bashkëpunuar për krijimin e qeverisë.
“Memli dhe Lumiri kanë bërë një opozitë të dobët gjatë katër viteve të kaluara, duke munguar në shumicën e seancave, gjë që ka rezultuar në një rezultat të dobët në zgjedhje. Megjithatë, tani ata kanë mundësinë të rikuperojnë situatën duke bashkëpunuar për krijimin e qeverisë. Nëse nuk e bëjnë këtë, do të tregojnë paaftësi dhe frikë për të marrë përgjegjësi shtetërore në një moment kritik për Kosovën, duke i dhënë kështu edhe një shans Kurtit që të vazhdoj të qëndroj në pushtet për të dëmtuar edhe më shumë shtetësinë e Kosovës” tha Kastrati për “Gazeta Blic”.
Ai tha se duke parë situatën e fundit gjeopolitike, Kosova ka nevojë për një qeveri pa Albin Kurtin.
“A do të jetë qeveria e opozitës më e mirë mbetet të shihet, pasi kjo do të varet nga përzgjedhja e individëve dhe ekipit. Shpresojmë pa njerëz të korruptuar dhe të stërkonsumuar politikisht.Megjithatë, është e qartë se, në një moment kur po kalojmë në një periudhë të re të ndryshimeve gjeopolitike dhe krijimit të një rendi të ri botëror, ku mund të preken edhe parimet e Grupit të Kontaktit dhe të Pakos së Ahtisarit, Kosova ka nevojë për një qeveri pa Albin Kurtin” tha profesori universitar, Ardian Kastrati, në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.