Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka zhvilluar sot një takim zyrtar me Drejtorin e Institutit për Krime Lufte në Kosovë, Atdhe Hetemi.
Gjatë takimit u diskutua për misionin institucional të Institutit, punën kërkimore dhe dokumentuese që ai zhvillon, si dhe për rëndësinë e trajtimit sistematik të krimeve të luftës në Kosovë, si një obligim moral, historik dhe juridik.
Palët u dakorduan që Komuna e Tetovës të vendosë një bashkëpunim të strukturuar me Institutin për Krime Lufte në Kosovë, duke ofruar mbështetje institucionale dhe duke koordinuar aktivitete të përbashkëta. Ky bashkëpunim synon ruajtjen e së vërtetës historike, forcimin e drejtësisë për viktimat dhe rritjen e ndërgjegjësimit të opinionit publik.
Nga Komuna e Tetovës u theksua se ballafaqimi me të kaluarën dhe mbrojtja e së vërtetës historike janë parakushte thelbësore për ndërtimin e drejtësisë së qëndrueshme dhe sigurimin e paqes afatgjatë në rajon.






