Kasami: Qytetarët mezi presin Kapitullin e Dytë të zhvillimit

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka zhvilluar një takim me banorët e lagjeve Gam Gam dhe Sahat Mëhallë, ku bashkëbisedoi për punët e deritanishme dhe planet për të ardhmen e qytetit.

Kasami tha se në mandatin e parë ka nisur një proces transformimi të Tetovës, e cila sipas tij ishte e “zymtë, e vjedhur, e rrënuar e e rraskapitur”. Ai kujtoi se ndryshimi filloi pikërisht në këto lagje, me projektin e parë infrastrukturor – rikonstruimin e rrugës Strasho Pinxhur.

“Kalldërmat që ia kthyen shpirtin e gjallërinë Rrugës së Butiqeve janë vula e një udhëheqjeje ndryshe, me dashuri për të bukurën, për kulturën dhe trashëgiminë tonë,” u shpreh ai, duke theksuar se kjo vulë mbetet me krenari nga drejtimi i tij.

Kreu i Tetovës tha se në çdo takim me qytetarët ndjehet një entuziazëm i madh për të vazhduar me “Kapitullin e Dytë” të zhvillimit.

“Sepse Tetova nuk ndalet,” përfundoi Kasami.