Kasami në manifestimin Dita e Plisit: E ngjallëm shpirtin kulturor dhe artistik të Tetovës

Kryetari i Tetovës dhe kandidat për rizgjedhje në krye të komunës nga VLEN-i, Bilall Kasami, mori pjesë sot në manifestimin tradicional të Ditës së Plisit, që organizohet nga shoqata Pellazgët.

Kasami tha se me pjesëmarrësit nga të gjitha viset ia dha këngës e valles, për ta nderuar trashëgiminë kombëtare.

“Hej Tetovë heu trungu i lisit, ti shkëlqimin ia jep plisit. Isha i nderuar të marr pjesë sot në manifestimin tradicional Dita e Plisit, të organizuar nga shoqata Pellazgët. Me bashkëkombas nga të gjitha viset ia dhamë këngës e valles, për ta nderuar trashëgiminë tonë të çmuar kombëtare”, tha Kasami.

Ai shtoi se në mandatin e tij të parë është ringjallur shpirti kulturor dhe artistik në Tetovë me aktivitete të shumta, ndërsa premtoi mbështetje për artin dhe kulturën edhe në mandatin e dytë.

“Gjatë mandatit tim të parë, e ringjallëm shpirtin kulturor dhe artistik të Tetovës. Mbështetja për artin dhe kulturën do të vazhdojë edhe në Kapitullin e Dytë të transformimit të Qytetit. Tetova s’ndalet!”, shkruan Kasami.