Kryetari i ri i Tetovës Bilall Kasami ka ndërprerë të gjitha projektet që kanë qenë në fazën e realizimit nga ana e komunës, e që kanë nisur kur me komunën drejtonte Teuta Arifi.
“Ky projekt si dhe shumë projekte të tjera janë duke u shqyrtuar nga ana e Komunës së Tetovës. Qëllimi është të shihet nëse ka lëshime gjatë kryerjes së punëve”.
Në rrugë takuam edhe përfaqësues të komunës të cilët po inspektonin nëse në këto projekte kanë lëshime. Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami thotë se janë mbi 20 projekte ku ka shkelje të rënda dhe ku nuk janë paraparë mjete me çka e rëndojnë edhe buxhetin e komunës me borxhe.
“Në bazë të raportit që do ta marr nga komisioni do të konstatohet se aty ku ka lëshime të rënda në aspektin formal-juridik apo në aspektin teknik të realizimit të punëve patjetër që do të duhet të bëjmë një raport të veçantë për çdo projekt, aty ku nuk do të konstatohen gabime të rënda dhe ku do të mund të përmirësohen në këtë fazë në kohë sa më të shpejtë do të përfundojnë”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Qytetarët që takuam presin që sa më parë të përfundojnë punët. Disa thonë se tashmë janë mësuar me rrugë të dëmtuara.
“I kanë ndërprerë se ata i kanë vjedhë paret edhe ky ku të marre tash t’i bëjë menjëherë rrugët?! Do behët katastrofë në gjithë Tetovën, është katastrofë çka ka bërë Teuta, çka të foli tjetër, i prishëm makinat të gjithë sot kam dhënë 200 euro për veturën që më është prishur në rrugë”.
“Duhet të rregullohen sa më shpejtë që qarkullimi të jetë sa ma normal si për automobilat”.
“Normal se duhet të punohet të rregullohet, po them se ne jemi mësuar kështu jemi mësuar”.
Kryetari i Tetovës Bilall Kasami, është duke bërë një revizion të brendshëm të komunës së Tetovës. Ky proces nuk ka përfunduar ende, por sipas tij, komunën e ka gjetur me borxhe mbi 20 milionë euro. Këtë javë pritet të dalë me një raport më të detajuar për të parë se kujt i ka borxh komuna e Tetovës, e cila në 8 vitet e fundit është drejtuar nga Teuta Arifi.