Kasami merrë mbështetje në Malësinë e Tetovës, premton më shumë projekte se deri tani

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, sonte ka mbajtur tubim në fshatin Shipkovicë, së bashku me banorët e fshatrave tjerë të malësisë Gajre, Lisec, Brodec, Veshallë dhe Bozovcë, ku ka marrë mbështetje të plotë për zgjedhjet lokale.

Në një postim në Facebook, Kasami thotë se për fshatrat e malësisë janë realizuar shumë projekte, ndërsa paralajmëron edhe më shumë në mandatin e dytë.

“Sonte në Shipkovicë, bashkë me banorët e Gajres, Lisecit, Brodecit, Veshallës dhe Bozovcës, dëshmuam edhe njëherë se zhvillimi nuk është më premtim, është realitet që po ndodh. Sepse ne kemi bërë atë që të tjerët vetëm e premtuan! Ata e harruan malësinë, ne e ngritëm. Ata i shfrytëzuan fshatrat vetëm për votë, ne i kthyem në prioritete të investimeve tona. Ata flisnin për ndryshim, ne e sollëm ndryshimin!”.

“Në këto katër vite, malësia ka parë punë e jo propagandë: nisëm asfaltimin e rrugës në Shipkovicë (përfundon së shpejti), asfaltuam rrugën dhe ndërtojmë shkollën në Sellcë, përfunduam rikonstruimin e rrugës Brodec – Veshallë. Këto janë vetëm disa nga projektet që i kemi shndërruar në realitet, ndërsa ajo që vjen është edhe më e mirë”, ka shkruar Kasami.

Në mandatin e dytë, Kasami pa paralajmëruar zhvillim të Kodrës së Diellit, ndërtim të teleferikut nga qyteti në Qendrën Turistike, rrugën Tetovë – Prizren, qarkore të re në fshatin Shipkovicë, si dhe qarkore të re nga fshati Lisec për në Kodrën e Diellit.

“Banorët e fshatrave të malësisë e dinë mirë kush punon, prandaj më 19 tetor, të gjithë me NJË ZË do të përcaktohen për numrin 7, për të mbështetur zhvillimin!”, ka shkruar Kasami.