Me urdhër të kryetarit të Tetovës Bilall Kasami, gjatë ditës së sotme filloi prishja e shtegut të biçikletave. Me që MPB kishte konstatuar se ka parregullsi në vendosjen e këtij shtegu kishte nisur procedurë kundërvajtëse për komunën dhe ish kryetaren Teuta Arifi. Portani shtrohet pyetja, a mund të prishet shtegu, derisa është në procedurë gjyqësore!? Kasami thotë se ka vendim nga gjykata e Tetovës për prishjen e këtij shtegu.
“Nga momenti ne kur erdhën në krye të detyrës kemi një vendim të gjykatës që kërkon që shtegu i biçikletave të eliminohet dhe rrugët të kthehen në gjendjen paraprake. Me çka ka edhe padi kundër komunës edhe kryetares”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Por si qëndron e vërteta? Televizioni 21 gjatë ditës së sotme pyeti edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme nga ku na thanë se ata kanë dërguar dy paralajmërime dhe më pas është dërguar një parashtesë për kundërvajtje.
“Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë, dy herë këtë vit, dërgoi paralajmërime adekuate me shkrim, për rregullimin e shtegut të ri për biçikleta në Tetovë. Pasi nuk është vepruar në mënyrë adekuate pas dy paralajmërimeve, SPB Tetovë në prill dërgoi kërkesë për ngritjen e procedurës kundërvajtëse kundër një personi juridik dhe personi përgjegjës”, thonë nga MPB.
Pyetën edhe në gjykatën e Tetovës, nëse ka vendim gjyqësor për largimin e shtegut të biçikletave, por në përgjigjen që morën thuhet se ka procedurë kundërvajtëse kundër ish kryetares Teuta Arifi, por jo edhe vendim gjyqësor për prishjen e shtegut.
“Ju njoftojmë se pas kontrolleve të realizuara nga ana e sektorit për AKMIS në Gjykatën Themelore në Tetovë, është parashtruar kërkesë për nisjen e procedurës kundërvajtëse kundër Komunës së Tetovës si person juridik, dhe Teuta Arifit si person përgjegjës, për kundërvajtje sipas Nenit 348, alinea 1. Sipas Ligji për Siguri në Komunikacion, personat në fjalë janë ftuar në gjykatë, ndërsa vijon procedura”, theksojnë nga Gjykata Themelore Tetovë.
Shtegu i biçikletave në Tetovë komunës së Tetovës i ka kushtuar 50 mijë euro, ndërsa për mënyrën e realizimit bëri bujë në rrjetet sociale. Tani prishja e shtegut të biçikletave a do të thotë edhe përfundim i procedurës gjyqësore, pritet të shihet gjatë ditëve në vazhdim.