Kasami i përgjigjet Ahmetit: “Ne ofrojmë program për qytetarët, ai le të merret me horrat dhe zagarët”

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka komentuar deklaratat e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, duke thënë se nuk dëshiron t’i përgjigjet në të njëjtin nivel të gjuhës së tij.

Kasami tha se VLEN ofron program për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe se Ahmeti përgjigjen do ta merr më 19 tetor.

“Nuk dua t’i përgjigjem në të njëjtin nivel, janë zgjedhje lokale dhe ne kemi çfarë të promovojmë për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Qytetarët e dijnë fjalorin e Ali Ahmetit edhe në zgjedhjet parlamentare, kur opozitën e atëhershme shqiptare i quajti horra, me një pjesë të së cilës sot bashkëpunon dhe e mori përgjigjen në zgjedhjet parlamentare. Për kët fjalor përgjigjen do ta marrë në zgjedhjet lokale”, tha Kasami.

Ai kujtoi periudhën e bashkëqeverisjes së BDI-së me VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit, kur, sipas tij, shqiptarët përballeshin me represion policor.

“E dijmë bashkëqeverisjen me Nikolla Gruevskin, kur shqiptarët burgoseshin dhe nënat shqiptare tërhiqeshin zvarrë nga policë dhe dilte zv.ministri shqiptar legjitimonte këtë. Pra shqiptarët e dijnë si ishte në bashkëqeverisje me Nikolla Gruevskin dhe si është sot. Ne ofrojmë program dhe përmirësim të jetës së qytetarëve. Ali Ahmeti le të merret me horrat dhe me zagarët”, u shpreh Kasami.