Kasami: Funksionarët me rezultate të dobëta do të shkarkohen, siç i kam shkarkuar në komunë

Kryetari i Lëvizjes Besa dhe njëri ndër liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, paralajmëroi se nesër në mbledhjen e Kuvendit Qendror të Besës do të shqyrtohet puna e deritanishme e funksionarëve të kësaj partie, nga ministrat, zv/ministrat, drejtorët dhe funksionarët e tjerë në të gjitha nivelet.

Ai tha se do tu jepet hapësirë të gjithëve të raportojnë për punën e bërë deri tani dhe do të vlerësohet nëse janë arritur pritshmëritë e votuesve të VLEN-it dhe gjithë shqiptarëve.

“Dua që këto çështje t’i diskutojmë fillimisht brenda partisë, t’ju jap rastin të argumentojnë, dhe pastaj varësisht nga vendimi i Kuvendit, që është organi më i lartë i partisë midis dy kongreseve, këtë vendim ta ndajmë me opinionin”, tha Kasami.

Ai deklaroi se tashmë ka filluar me shkarkimin e zyrtarëve që nuk kanë treguar rezultate, duke marrë si shembull ish-drejtorin e Byrosë së Metrologjisë, i cili u shkarkua para dy ditësh.

Kasami sqaroi se këtë parim e ka ndjekur edhe në komunë, ku ka shkarkuar kuadrot të cilët nuk kanë treguar rezultate.

“Këtë e kam bërë edhe në komunë, qoftë në arsim, drejtor shkollash ose sektorë të tjerë, ata që nuk kanë treguar rezultate janë shkarkuar dhe kanë ardhur të tjerë në vend të tyre”, deklaroi Kasami.

Ai tha se Lëvizja Besa ka kapacitet të bëjë shumë më shumë punë si pjesë e VLEN-it në Qeveri, prandaj është i nevojshëm ky rishikim dhe rivlerësim i punës së deritanishme.