Komuna e Tetovës ka hapur thirrje publike për ndarjen e ndihmës financiare të njëhershme (vauçerë) për qytetarët në nevojë sociale për vitin 2025.
Përmes kësaj thirrjeje, Komuna e Tetovës do të ndajë 1.000 vauçerë në vlerë prej 3.000 denarësh secili.
Këto vauçerë do të mund të përdoren vetëm për shlyerjen e obligimeve ndaj Komunës së Tetovës (taksë mbi pasurinë), si dhe për pagesën e shërbimeve të ofruara nga Ndërmarrja Publike “Sharri” dhe kompania “Saubermacher” .
Për këtë ndihmë mund të aplikojnë përfituesit e ndihmës minimale të garantuar dhe pensionistët që marrin pension social.
Thirrja është e hapur nga data 11 qershor deri më 30 qershor 2025, dhe aplikimi bëhet përmes dorëzimit të kërkesës pranë sporteleve të Komunës.
Formularët janë të qasshëm si në formë elektronike në faqen zyrtare të komunës www.tetova.gov.mk, ashtu edhe në mënyrë fizike në ambientet e komunës.
“Përzgjedhja do të bëhet me transparencë të plotë dhe në mënyrë të drejtë, sipas parimit i pari që aplikon, i pari përfiton”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Vlerësimi i kërkesave do të bëhet nga një komision, i ngritur enkas për këtë qëllim, me përfaqësues nga administrata komunale.