Karaxhovski: E amortizuam goditjen e parë të epidemisë, por beteja nuk ka përfunduar

Mortaliteti i ulur, i cili i ndjek trendet evropiane dhe botërore është një nga faktorët i cili na detyroi të mendonim për lehtësimin e masave restriktive për mbrojtje nga virusi korona Kovid-19 në fazën e parë, të dytë, eventualisht të tretë, sqaroi dje në konferencë për media kryetari i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse mjeku Zharko Karaxhovski.

E amortizuam goditjen e parë të epidemisë, por, theksoi Karaxhovski, beteja nuk ka përfunduar.

“Masat parandaluese të cilat i propozuam siç janë distancimi fizik prej dy metrave, bartja e maskës mbrojtëse, dezinfektimi dhe pastrimi i shpeshtë i duarve duhet të jenë të pranishme edhe në periudhën e ardhshme, sepse shembulli i Brazilit tregon se moti i ngrohtë dhe klima e thatë nuk e mbyt virusin”, tha Karaxhovski në konferencën e sotme për media në Qeveri në të cilën ishte paralajmëruar lehtësimi i masave restriktive.

Ai theksoi se në 14 ditët e fundit filluam të bëjmë analiza për periudhë shtatë ditore dhe 14 ditore.

“Kjo na mundëson në mënyrë adekuate të reagojmë gjatë sjelljes së çfarëdo vendimi, e njëkohësisht edhe ta ndjekim në vazhdimësi epideminë që nga rasti i parë, nga 26 shkurti e deri më sot. Në 14 ditët e fundit kemi prej 10 deri 40 raste të regjistruara në nivel ditore ose mesatarisht 24. Incidenca lëviz prej 0,9 deri 30, gjegjësisht 6,8 në 100 mijë banorë në shtetin tonë. Konstatuam se kemi edhe 113 raste të vdekjes, megjithatë 14 ditët e fundit kjo në mënyrë drastike përmirësohet dhe kemi vetëm 1,1 raste të vdekjes në nivel ditor, që është shumë mirë se sa në ato shtete në të cilat ende ka dhjetëra dhe qindra raste”, potencoi Karaxhovski.

Pjesëmarrja në përqindje e testeve pozitive në 14 ditët e fundit, shtoi, lëviz prej 2,7 deri 8,7 për qind ose mesatarisht janë 5,7 për qind në nivel 14-ditor.

“Që prej para më shumë se një muaji thamë se kur do të arrijmë diku rreth 5 për qind nga këto teste që të jenë pozitivë do të piqet koha që të fillojnë masat lehtësuese. Ja tani kemi mesatarisht 5,7 për qind”, theksoi Karaxhovski.

Gjatë 14 ditëve të kaluara, siç tha, janë bërë 6.063 teste për diagnostikë të KOVID-19, gjegjësisht afro 1.500 teste në një milionë banorë.

“Nëse në fillim të epidemisë kishim një algoritëm i cili na tregonte se duhet t’i ndjekim ata persona të cilët kanë simptoma pozitive ose persona të cilët kanë pasur kontakt, tani e ndryshojmë skemën tonë dhe shkojmë në testim më të gjerë të popullsisë. Tashmë jemi në funksion të më shumë se 2.000 testeve të bëra te personat që punojnë në kopshte. Gjithashtu, bëjmë përpjekje që t’i testojmë edhe personat të cilët janë të përfshirë në shtëpitë për të moshuar”, sqaroi Karaxhovski.

Ai paralajmëroi se në periudhën që vijon do të testohen edhe punonjësit shëndetësorë, taksistët, shoferët e NQP-së Shkup, ARM-ja dhe policia.

Punonjësit mediatikë dhe shtatzënat nuk ishin marrë parasysh me planin fillestar për testim, por siç paralajmëroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe vendim për një gjë të tillë do të sillet varësisht gjendjes.