Kapen me rreth 1.5 ton kokainë, arrestohen tre shqiptarët në Rotterdam të Holandës

Tre shqiptarë, një nga Lushnja dhe dy nga Kosova kanë rënë në prangat e policisë holandeze, pasi janë kapur me një sasi të konsiderueshme kokaine.

Sipas asaj që raportohet në mediat holandeze shqiptarët janë kapur me një sasi prej 1459 kg kokainë që nëse do të shitej do të arrinte shifrën e miliona eurove.

Autoritetet vendase bëjnë me dije se në pranga kanë rënë konkretisht 5 persona, një 43-vjeçar nga Lushnja, një 33-vjeçar nga Peja, një 55-vjeçar nga Mirusha e Kosovës, një 44-vjeçar nga Turqia si dhe një 32-vjeçar nga Issoire i Francës.

Operacioni është zhvilluar në Rotterdam ndërsa 5 të dyshuarit u arrestuan nën dyshimin e përfshirjes në import dhe transport të kokainës.

Autoritetet në Rotterdam pohuan se të arrestuarit ishin në kërkim të dy kontejnerëve ku ishin fshehur sasi të drogës.