Kontrabandë në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, 5 të arrestuar

Policia shqiptare ka vënë në pranga 5 persona që lejuan kalimin e kamionëve me mallara kontrabandë në pikën e kalimit kufitar Goricë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Mes të arrestuarve janë tre policë dhe një doganier. Ndërsa janë shpallur në kërkim 7 persona të tjerë.

Të arrestuarit akuzohen se kanë lejuar kalimin e 4 kamionëve të ngarkuar me mallra të dyshuara kontrabandë konfeksione dhe goma automjetesh të përdorura, duke shmangur detyrimet doganore dhe falsifikuar të dhënat e mjeteve në dokumentacionet e tyre dhe në Sistemin Tims.

Dy pre kamionëve janë gjetur dhe bllokuar në cilësinë e provës materiale.

Të arrestuarit janë:

•  Sh.D., 35 vjeç, banues në Korçë, me detyrë doganier pranë Doganës së Goricës.

•  Y.Rr., 53 vjeç, banues në Tiranë, punonjës policie me detyrë përgjegjës turni.

•  B.H., 54 vjeç, banues në Korçë, punonjës policie me detyrë kontrollor.

•  J.K., 51 vjeç, banues në fshatin Kallamas, Pustec, punonjës policie me detyrë trup shërbimi, pranë Pikës së Kalimit Kufitar Goricë.

•  A.H., 58 vjeç, banues në Korçë.

Si edhe u shpallën në kërkim shtetasit me iniciale:

– M. K., 35 vjeç, banues në Bilisht;

– N. S., 44 vjeç, banues në Liqenas;

– A. H., 42 vjeç;

– E.Z., 44 vjeç;

– A.P., 37 vjeç;

– Dh.K., 23 vjeç;

– M.Xh., 35 vjeç, banues në Korçë.

“Punonjësi i Doganës (shtetasi Sh.D.,) në bashkëpunim me punonjësit e policisë dhe shtetasit e lartpërmendur, kanë lejuar kalimin e 4 mjeteve tip kamion të ngarkuar me mallra të dyshuara kontrabandë konfeksione dhe goma automjetesh të përdorura, nga Pika e Kalimit Kufitar Goricë në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke shmangur detyrimet doganore dhe falsifikuar të dhënat e mjeteve në dokumentacionet e tyre dhe në Sistemin Tims, ku 2 nga këto mjete u gjetën dhe bllokuan në cilësinë e provës materiale,”-njofton policia.

Policia po punon për kapjen e personave të shpallur në kërkim, si edhe gjetjen dhe bllokimin e 2 mjeteve të tjera.

Hetimet dhe operacioni janë realizuar nga policia e Korçës në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Kontrabandë me mallra të ndaluar”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”.