Dogana e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar 500 mijë euro cash të fshehura në një bunker brenda një minibusi në pikën kufitare “Tabanoc”, përcjell TV21. Paratë u zbuluan gjatë kontrollit të automjetit që vinte nga Shqipëria. Drejtuesi i minibusit, shtetas shqiptar XH.G., po ndiqet sipas ligjit dhe automjeti është konfiskuar.
“Sektori i Kontrollit dhe Hetimeve, përmes Departamentit të Çështjeve Operacionale, ka parandaluar një përpjekje për transferim të paligjshëm të parave “cash” në shumën prej gjysmë milioni euro, të cilat u zbuluan në një bunker të ndërtuar posaçërisht brenda një minibusi, duke rezultuar në sekuestrimin më të madh deri më sot në historinë e Administratës së Doganave të Republikës së Maqedonisë. Devizat dhe automjeti janë sekuestruar, ndërsa kryerësi, një shtetas i Republikës së Shqipërisë me inicialet XH.G., i cili drejtonte minibusin, po ndiqet në përputhje me ligjin, për të cilin Gjykata Themelore në Kumanovë ka nxjerrë tashmë aktgjykim. Përpjekja u zbulua gjatë një operacioni të Departamentit Operativ në hyrje të Pikës Kufitare shtetërore “Tabanoc”, ku u krye një kontroll i detajuar në një mikrobus në pronësi të një agjencie udhëtimesh nga Shqipëria, që po transportonte shtatë pasagjerë”, tha Boban Nikollovski, drejtor i Doganës së Maqedonisë së Veriut.



