Kapen 128 palë këpucë të markave të mbrojtura në “Han të Elezit”

Dogana e Kosovës ka ndaluar 128 palë këpucë të markave të mbrojtura, për të cilat dyshohet se cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, rasti ka ndodhur më 3 korrik 2026, rreth orës 22:00, në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit, ku zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll një automjet me targa vendore.

Kontrolli është kryer në kuadër të zbatimit të kontrolleve të bazuara në analizën e riskut dhe kompetencave ligjore.

Në përputhje me procedurat doganore, drejtuesi i automjetit është pyetur fillimisht nëse posedonte mallra për deklarim. Pasi ai ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të paraqitur, zyrtarët doganorë, bazuar në dyshime të arsyeshme dhe në autorizimet e përcaktuara me Kodin Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, kanë ushtruar kontroll fizik të automjetit.

Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit janë gjetur 128 palë këpucë të markave të mbrojtura, për të cilat personi nuk ka poseduar dokumentacion që dëshmon origjinën, importin e rregullt apo të drejtën për përdorimin dhe qarkullimin e këtyre produkteve.

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se, bazuar në dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, ka kompetencë të ndalojë mallrat për të cilat ekziston dyshimi se cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale, si dhe të ndërmarrë masat e nevojshme administrative dhe kundërvajtëse ndaj personave që tentojnë t’i fusin ose t’i qarkullojnë ato në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Lidhur me rastin është iniciuar procedura për kundërvajtje doganore, ndërsa malli është ndaluar për procedura të mëtejshme, në përputhje me legjislacionin doganor dhe dispozitat që rregullojnë mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.