Kaos në tregun e naftës, çmimi arrin nivelin më të lartë dyvjeçar: Nëse konflikti vijon, prodhimi mund të ndalet

Çmimet globale të naftës janë rritur në nivelin më të lartë në më shumë se dy vjet, pasi ministri i Energjisë i Katarit paralajmëroi se prodhimi i naftës dhe gazit në Gjirin Persik mund të ndalet brenda pak ditësh për shkak të përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Nafta bruto Brent u rrit me mbi 9% të premten, duke arritur në rreth 93 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga vjeshta e vitit 2023. Paralajmërimi u bë nga ministri i energjisë i Katarit, Saad al-Kaabi, i cili tha se përshkallëzimi i konfliktit mund të ketë pasoja serioze për ekonominë globale.

Sipas tij, nëse lufta në rajon vazhdon për disa javë, çmimi i naftës mund të arrijë deri në 150 dollarë për fuçi, ndërsa rritja ekonomike në shumë vende të botës mund të goditet ndjeshëm.

Katari, një nga eksportuesit kryesorë të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në botë, njoftoi këtë javë se kishte ndalur prodhimin në disa objekte të kompanisë QatarEnergy pas sulmeve ushtarake ndaj infrastrukturës energjetike.

Kompania shpalli “forcë madhore”, një klauzolë që e përjashton nga përgjegjësia për mosfurnizim në raste ngjarjesh jashtë kontrollit të saj.
Sipas Kaabi, nëse konflikti vazhdon, edhe eksportues të tjerë të mëdhenj të energjisë në rajon mund të detyrohen të ndalin prodhimin në ditët në vijim. Edhe në rast se lufta ndalet menjëherë, rikthimi në prodhim normal mund të zgjasë nga disa javë deri në disa muaj.

Situata është përkeqësuar edhe nga ndërprerja e trafikut në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë strategjike detare përmes së cilës transportohet rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë çdo ditë. Trafiku në këtë korridor është reduktuar ndjeshëm pas përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Analistët paralajmërojnë se një ndërprerje e zgjatur e furnizimit mund të shkaktojë rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë dhe presione inflacioniste në ekonomitë kryesore botërore. Jorge Leon, analist në kompaninë Rystad Energy, e cilësoi situatën si një “rrezik real për ekonominë globale”, duke shtuar se nëse kriza zgjat më shumë se dy javë, ndikimet mund të jenë shumë më të mëdha.