Kaos në Shkup/Motoçiklistë pa helmeta, fëmijë në trotinete e çiklistë që ngasin pa duar

“Me rritjen e temperaturave është rritur edhe frekuentimi i motoçikletave, i cili në këtë rast përbën edhe rrezik shtesë për komunikacionin, meqë shpesh motoçiklistët nuk i respektojnë rregullat e komunikacionit”.

Prej vitit 2012 deri në vitin 2024, sipas të dhënave zyrtare të Entit të Statistikave, numri i motoçikletave të regjistruara në Maqedoninë e Veriut është trefishuar, nga 3.400 në 10.600. Numrin e përdorimit në trafik të motoçikletave të paregjistruara, nuk e din askush. Krahas statistikave zyrtare të trendit në rritje për përdorimin e motoçikletave, në anën tjetër janë statistikat që ndër vite kanë mbushur faqet e kronikës së zezë. Prej vitit 2012 deri në vitin 2024 në Maqedoni kanë humbur jetën 157 persona apo mesatarisht një person për çdo muaj, si pasojë e aksidenteve me motoçikletave.

Pavarësisht këtyre të dhënave shqetësuese, fushatave edukuese e aksioneve nga autoritetet zyrtare, një pjesë e caktuara e shoferëve të automjeteve me dy rrota, vazhdojnë të jenë të papërgjegjshëm. Nga një vëzhgim i thjeshtë në vetëm një rrugë në Shkup, për vetëm disa minuta regjistruam motoçiklistë që nuk respektojnë rregullin elementar të mbajtjes së helmetës.

Se në çfarë mase shkelen rregullat e komunikacionit nga ana e motoçiklistëve, tregojnë të dhënat e aksionit policor që u zhvillua javën e kaluar në Shkup. Për vetëm 8 orë, policia ka sanksionuar 116 drejtues të motoçikletave, mbi gjysma e tyre për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse e një pjesë tjetër për drejtim pa patentë shoferi dhe shkelje të tjera. Nga MPB kanë paralajmëruar intensifikim të masave, por edhe ndryshim të kuadrit ligjor.

Ndërkohë nga ana tjetër edhe trotinetet elektrikë, të cilët janë transformuar në mjet të pakontrolluar nëpër rrugët e qytetit, janë bërë shkas i shumë aksidenteve si pasojë e mosrespektimit të rregullave të komunikacionit. Më shqetësues mbetet përdorimi i këtyre mjeteve nga ana e fëmijëve nëpër korësitë kur krahas tyre qarkullojnë dhe automjetet. E një rast eklatant, është ky që do ta shihni në vijim, ku në rrugë kryesore dy fëmijë ngasin një trotinet, jashtë çdo standardi.

Në mungesë të infrastrukturës përkatëse edhe biçikletat lëvizin nëpër korsi për automjete duke rrezikuar veten dhe komunikacionin. Pos vozitësve të përgjegjshëm ka dhe prej tyre që biçikletën në korsi për automjete, e ngasin pa duar./Alsat