Kaos në oborrin e spitalit të Kërçovës! Ujë, baltë dhe gropa gjithandej

Ujë nga të reshurat e shiut, gropa të hapura gjithandej, baltë nëpër trotuare dhe vetura të parkuara vend e pa vend.

Kështu është gjendja në spitalin e Kërçovës. Kështu në fakt është prej vitesh, ndërsa së fundmi është përkeqësuar edhe më shumë.

“Pamjet që sapo patë tregojnë se si është gjendja në oborrin e Spitalit të Kërçovës, duke pritur që të ndërtohet spitali i ri. Spitali i vjetër ose oborri i spitalit të vjetër u la në këtë gjendje“.

Për këtë situatë TV21 kontaktoi drejtoreshën e Spitalit të Përgjithshëm Maja Cvetanovska Trajkovska e cila tha se po punohet në zgjidhjen e problemit.

 

 

“Para ca kohe filluam me rregullimin e parkingut pas repartit të mjekësisë interne. Jemi në fazë përfundimtare dhe shumicën e mangësive do t’i sanonim në pranverë; për shkak të kushteve të motit kemi bërë një ndërprerje. Sa i përket automjeteve, ka filluar të vendoset rendi te porta, me rampë, dhe pjesa më e madhe do të rregullohet. Këtë pranverë do të rregullohet pjesa më e madhe”, tha Maja Cvetanovska Trajkovska.

Kujtojmë se Spitali i ri në Kërçovë i filluar prej dekadash nuk do të ndërtohet, sepse sipas asaj që tha ministri Shëndetësisë kohë më parë, nuk i plotëson kushtet, andaj ata premtuan një lokacion tjetër me ndërtim të një spitali të ri nga themeli.