Kaos në Kodrën e Diellit! Gjatë vikendeve kolona makinash 5 kilometra, teleferiku vetëm premtim

Mungesa e parkingjeve në Kodrën e Diellit shkakton kolona të gjata në këtë qendër rekreative. Makinat detyrohen të presin gjatë për të gjetur hapësirë parkingu. Kolonat që shkaktohen sidomos gjatë vikendeve arrijnë deri në 5 km. Këto janë disa pamje nga dita e djeshme.

Deri në vitin 2000 ka funksionuar teleferiku që çonte nga Tetova deri në Kodrën e Diellit, por gjatë konfliktit të vitit 2001 u dëmtua. Rindërtimi i teleferikut është premtuar nga viti 2002 ndërsa edhe sot e kësaj dite nuk ka projekt.

Në një komunikatë për TV21 lidhur me këtë problematikë nga Komuna e Tetovës thonë se teleferiku nuk është kompetencë e tyre, megjithatë do të angazhohen për ta zgjidhur situatën.

“Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka ftuar në bashkëpunim gjithë shoqërinë civile, pushtetin qendror dhe gjithë njerëzit që duan të kontribuojnë për të mirën e qytetarëve për të hartuar një plan detal urbanistik për Kodrën e Diellit, që do të zgjidhte njëherë e përgjithmonë problemin me kaosin në komunikacion. Ditëve në vijim kryetari Kasami do të fillojë takimet intensive për të gjetur një zgjidhje edhe pse teleferiku nuk është në kompetencë të komunës, por ne do të angazhohemi që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët me të gjithë faktorët”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Ndryshe pas festave të fundvitit, shumë qytetarë kanë zgjedhur bukuritë e Sharrit për të kaluar ditët e fundit të pushimit. Shumica e vizitoreve janë nga vendi, por nuk mungojnë as nga rajoni, kryesisht Kosova. Në dispozicion të vizitorëve këtë sezon është edhe teleferiku me 6 ulëse. /TV21