Kandidati i BDI-së për kryeministër ka marrë dritë jeshile nga VMRO-DPMNE, nesër shpallet emri!?

Burime partiake thonë se VMRO-DPMNE ka dhënë pëlqimin për emrin e kandidatit të BDI-së për “kryeministër” i cili qëllim kryesor nuk do të ketë të zgjedhet vërtetë kryeministër, por të mobilizojë maqedonasit të votojnë sa më shumë për VMRO-DPMNE-në

Nesër edhe zyrtarisht fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e 5 korrikut, ndërsa po nesër pritet ë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nga Prespa, të shpallë emrin e kryeministrit të parë shqiptarë. Konventa zgjedhore e kësaj partie nis në Njësinë zgjedhore 5, në të cilën bartës liste është kryeparlamentari Talat Xhaferi. Nëse i referohemi deklaratës së fundit të liderit të kësaj force politike, Ali Ahmeti, se në Konventën e fushatës do të prezantohet edhe kandidati shqiptar për kryeministër, si dhe fillimit të fushatës nga zona zgjedhore numër pesë, atëherë mund të konstatohet se pikëisht nesër do të publikohet emri i shumëpritur i kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Burime partiake thonë se VMRO-DPMNE ka dhënë pëlqimin për emrin e kandidatit të BDI-së për “kryeministër” i cili qëllim kryesor nuk do të ketë të zgjedhet vërtetë kryeministër, por të mobilizojë maqedonasit të votojnë sa më shumë për VMRO-DPMNE-në. Pëlqim për kandidatin e BDI-së për kryeministër ka ardhur edhe nga Hungaria, thonë burime partiake, respektivisht nga ish kryeministri Nikolla Gruevski, i cili gati 10 vite kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, e pati bashkëpunëtorin më të afërt.

“Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët drejtojnë poste udhëheqëse si gjyqtarë të gjykatës supreme dhe kushtetuese, ministritë e mbrojtjes dhe të punëve të brendshme si dhe institucionet kyçe shtetërore bashkë edhe me kryetarin e parlamentit. Sidoqoftë, kjo nuk mjafton. Tani është koha për vazhdim të ëndrrës. Për ëndrra më të mëdha, sepse erdhi koha për të arritur edhe më shumë. Maqedonia e Veriut është vendi ynë. Vendi për të cilin kemi luftuar”, tha ditë më parë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ndërsa shpalosi idenë e kryeministrit të parë shqiptar.

“Ne kemi një pjesë të barabartë në historinë, trashëgiminë, në ekonominë dhe në të ardhmen e vendit tonë. Tani është koha për barazi të plotë, për marrje të përgjegjësisë për të prirë! Është koha për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut! Disa mund ta quajnë këtë ide të parealizueshme. Disa mund edhe ta përqeshin besimin tonë në realizimin e ëndrrës së shumë shqiptarëve. Kjo, megjithatë është diçka e mirë . Kur dikush ta mohon ëndrrën, të bën që të punosh akoma më shumë për ta realizuar…”, kishte shtuar Ahmeti.