Kancelari gjerman zotohet të furnizojë Ukrainën me armë me rreze të gjatë veprimi

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka premtuar të pajisë Ukrainën me sisteme armësh me rreze të gjatë veprimi, por nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë në lidhje me furnizimin me raketa Taurus.

Kur u pyet Merz lidhur me çështjen nëse Gjermania do të furnizojë Ukrainën me raketa Taurus: “Në muajt e fundit, ne kemi punuar intensivisht me qeverinë ukrainase në projekte që teknikisht i quajmë zjarr me rreze të gjatë veprimi. Ushtria ukrainase do të pajiset me sisteme të tilla armësh”.

Ai shtoi se Gjermania dhe Ukraina kanë rënë dakord të mos diskutojnë më publikisht detajet, pasi duan që “pala ruse të ketë një shkallë pasigurie në lidhje me fushëveprimin e mbështetjes sonë ushtarake”.

Merz theksoi se Gjermania “po bën gjithçka që është e mundur për të pajisur ushtrinë ukrainase me sisteme armësh që posedojnë rreze të mjaftueshme veprimi”.

“Kjo sasi do të rritet në javët dhe muajt e ardhshëm, nëse është e nevojshme, derisa sisteme të tilla armësh të prodhohen edhe në Ukrainë”, tha kancelari gjerman.