Kampe paramilitare ruse në Serbi – arrestohen persona të afërt me një ministër serb

Dy persona u arrestuan në Shabac të Serbisë me dyshimin se ishin të lidhur me financimin dhe organizimin e kampeve paramilitare ruse për stërvitje të moldavëve dhe rumunëve.

Në të njëjtën kohë, prokuroria moldave njoftoi se disa ditë para zgjedhjeve parlamentare në vend, ajo kishte arrestuar 74 persona të dyshuar se ishin stërvitur për të nxitur trazira në Moldavi para ditës së zgjedhjeve.

Sipas mediave, të arrestuarit më parë kishin bashkëpunuar me Nenad Popoviq, aktualisht ministër pa portofol, raporton nova.rs.

Prokuroria moldave pretendojnë se rusët po stërvitnin moldavë për të shkaktuar trazira përpara zgjedhjeve, dhe të gjitha aktivitetet, sipas njoftimeve, po ndodheshin në kampe në Serbi.

Disa ditë para zgjedhjeve parlamentare në Moldavi, 74 persona u ndaluan, të dyshuar se ishin trajnuar në Serbi për të krijuar trazira në ditën e zgjedhjeve të 28 shtatorit.

Në një video të publikuar nga organet gjyqësore moldave me titull “Kampet ushtarake në Serbi që organizoheshin nga shërbimet sekrete ruse” shfaqen arrestime, mesazhe të brendshme mes të dyshuarve, para, uniforma, armë dhe eksploziv, dhe thuhet se janë përfshirë edhe agjentë rusë.