Kamberi: E premtja, dita e referendumit kundër politikës shtetërore të fshirjes së shqiptarëve

Prijësi i koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, Shaip Kamberi, ka thënë se të premten do të mbahen zgjedhjet për herë të tretë në Tërnoc, dhe se kjo është kundër politikës shtetërore të Serbisë të fshirjes së shqiptarëve.

“Kjo vetëm për një arsye. Se pushteti i SNS dhe SPS në Beograd ka vendosur me ia pamundësuar me çdo kusht shqiptarëve të kenë deputet. Së fundi ishte personalisht Ivica Daçiqi ai që e keqpërdori shtetin për t`i përbuzur votat e rreth 700 qytetarëve të Tërnocit, respektivisht të mbi 13.000 shqiptarëve”.

“Dy herë mobilizuan të gjitha strukturat e shtetit. Policinë, gjykatat, komisionet zgjedhore, ministritë, mediat pro-qeveritare etj. Veprojnë sikurse të jemi në gjendje lufte të pashpallur. Se lufta s’është vetëm e armatosur”,ka shkruar Kamberi.

Ai ka ftuar të gjithë shqiptarët e Luginës të dalin dhe ta votojnë atë.

“E premtja nuk është dita e fitores së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe aq më pak e imja personalisht. E premtja është dita e Referendumit kundër politikës shtetërore të fshirjes së shqiptarëve”.

“Andaj ju ftoj të gjithëve, votuesve të vendvotimit në Tërnoc, si dhe të gjithë atyre që mund të kontribuojnë në mënyrë indirekte, kudo që jeni, të ndihmohemi, të mobilizohemi dhe të organizohemi, për t’i thënë JO politikës së fshirjes së shqiptarëve duke votuar numrin 16”,ka thënë Kamberi.