“Kam pasur vetëm raport miqësor”, Rama: E kam takuar ish-agjentin e FBI-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka pranuar faktin se është takuar disa herë me ish-agjentin e FBI-0së, Charles MsGonigal, por nënvizoi se me të ka pasur vetëm raport miqësor dhe se nuk ka të bëjë me çështjen e cila po hetohet nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA.

Në një deklaratë për mediat në Shqipëri, pas mbledhjes në selinë e PS-së me drejtuesit politikë të qarqeve, Rama u shpreh se ka takuar Agron Nezajn, në praninë e McGonigal.

“Këto janë derivate të keqleximit të këtushëm. Përmendja e emrit si pjesë e në takim apo në një takim tjetër, nuk ka asnjë lidhje me përfundimet që ka nxjerrë hetimi në SHBA. SHBA ka bërë një hetim dhe janë nxjerrë përfundime, në përfundime nuk asnjë lidhje me ato që thoni ju. Takove një zyrtar të FBI-së, po e takova. Takove një zyrtar të lartë të FBI-së disa herë, po e takova.

Unë dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë nuk ka asnjë lidhje me përfundimin e hetimit për një dytësore, ndërkohë që çështja kryesore është tjetër. Hetimet kanë përfunduar, ka një të akuzuar për mosdeklarim dhe konflikt interesi, në raport me mikun e tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja, që unë e kam njohur në takimin me të dhe me të cilin nuk kam pasur asnjë lidhje tjetër përveç këtij raporti miqësor dhe këtyre shkëmbimeve pa asnjë interes tjetër me zyrtarin e lartë të FBI-së”, theksoi ai.

McGonigal akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.