“Kam edhe dy vite kontratë”, Harry Kane thyen heshtjen, komenton largimin e mundshëm nga Bayerni

Sulmuesi anglez Harry Kane ka komentuar së fundmi për të ardhmen e tij pas fitores bindëse 4-0 të Bayern Munich ndaj Werder Bremen javën e kaluar, duke theksuar se është i qetë dhe i lumtur me situatën aktuale në klub.

Anglezi është lidhur me një largim të mundshëm nga Bayerni me destinacionin e vetëm rikthimin në Ligën Premier, aty ku shkroi historinë për shumë vite te Tottenhami.

Megjithatë, lojtari deklaroi se është i lumtur te Bayern Munich dhe aktualisht nuk po e konsideron largimin.

“Sigurisht që mund të flasim për këtë. Kam pothuajse edhe dy vite kontratë. Nuk është sikur të jem në vitin e fundit dhe dikush të jetë në panik”.

 Harry Kane

“Jam mirë, klubi është mirë. Mendoj se ata janë të lumtur me mua, dhe unë jam i lumtur me ta. Këto biseda mund të ndodhin në momentin e duhur”, tha Kane për mediat gjermane.

Drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl gjithashtu konfirmoi se klubi e sheh Kane si një pjesë afatgjatë të projektit bavarez:

“Një bashkëpunim përtej vitit 2027 është plotësisht i mundshëm. Do të diskutojmë hapat e ardhshëm në mënyrë të qetë. Ai është një lider absolut – do të ishte fantastike të fitonim tituj me të dhe edhe ai e dëshiron këtë. Synimi ynë është ta bëjmë këtë me Harry për shumë vite”.