Kallëzim penal për komandantin dhe katër policë nga Çegrani për fshehje të ankesave për ndërtim pa leje

Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftojnë se kanë ngritur kallëzim penal kundër komandantit dhe katër policëve nga Stacioni Policor Çegran pranë SPB-Tetovë, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale – pengim të drejtësisë. Ata dyshohen për fshehje të ndërtimeve të paligjshme, pra se kanë rishikuar ankesat për ndërtim pa leje duke i kualifikuar si shkelje për denoncim të rremë.

“Kallëzim penal është ngritur kundër B.I., komandant i Stacionit Policor Çegran, K.B., T.E., V.T. dhe B.E., të gjithë punonjës policie nga i njëjti stacion pranë Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë, për shkak të dyshimit për kryerje të veprës penale – pengim të drejtësisë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Procedura është iniciuar mbi bazën e dyshimit se ata kanë fshehur gjendjen faktike në rastet e ndërtimeve të paligjshme, duke e vështirësuar kështu dëshminë para gjykatës ose organit tjetër kompetent.

Sipas MPB-së, punonjësit e kallëzuar, gjatë vitit, në disa raste, duke vepruar mbi ankesa për ndërtim pa leje nga qytetarët, kanë ndryshuar dhe përgatitur materiale shtesë zyrtare, me të cilat kanë ndryshuar gjendjen faktike, duke penguar, fshehur dhe vështirësuar dëshminë për të konstatuar ndërtimin e paligjshëm në procedurat që zhvillohen para gjykatës ose organit kompetent.

“Po ashtu, të kallëzuarit kanë kryer rishikimin e ankesave për ndërtim pa leje duke i kualifikuar si shkelje për denoncim të rremë ndaj qytetarit që e ka bërë ankesën, në mënyrë që pa konfirmuar gjendjen faktike, kanë përgatitur procesverbal për shkelje të konstatuar dhe kërkesë për nisje të procedurës administrative kundër qytetarit ankues”, njoftoi Policia.

Departamenti për Kontroll të Brendshëm, pasi të marrë miratimin nga Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kundër punonjësve të policisë, do të paraqesë propozim për nisjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë për shkelje të rregullave të punës dhe disiplinës, e cila përfshin konfiskimin e armës zyrtare dhe municionit, si dhe kontrolle të detyrueshme psikologjike dhe psikiatrike ndaj personave në fjalë.