Kallëzim Penal ndaj kryetarit të KRrE-së Bislimovski: Nuk ia mori në kohë licencën kompanisë “Triterol Petrol” të Lupço Pecovit

Policia Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Shkup ndaj kryetarit të Komisionit Rregullator për Energjetikë Marko Bislimovskit, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, përcjell TV21. Sipas njoftimit, ai dyshohet se ka bërë shkelje ligjore duke mosvepruar për të ia hequr në kohë licencën kompanisë “Triterol Petrol”, pasi ajo nuk i plotësonte kushtet ligjore për ushtrimin e veprimtarisë energjetike.

Në vend që licenca të hiqej në janar 2024, vendimi është marrë vetëm në prill 2025, çka i ka mundësuar kompanisë të vazhdojë aktivitetin edhe 15 muaj dhe të marrë pjesë në tenderë publikë. Si pasojë, kompania ka realizuar qarkullim mbi 194 milionë denarë dhe përfitim të paligjshëm mbi 14 milionë denarë, thuhet në kallëzim. Përndryshe, kompania “Triterol Petrol” është në pronësi të Lupço Pecov – Gjavolli.

Ai dyshohet se është një nga organizatorët e grupit kriminal për evazion fiskal në rastin “Zinxhiri”. Pikërisht për tia hequr paraburgimin Pecovit për këtë rast, avokati Fehmi Stafa u kap në flagrancë në përpjekjen për ta korruptuar gjykatësin e Apelit Gjoko Risotv. Edhe Stafa edhe Ristov tash janë nën hetim./tv21.tv