Kallëzim ndaj një pronari kompanie për shmangie tatimore, mbi 23 milionë denarë

Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër V.R., drejtues dhe pronar i një personi juridik, si dhe kundër personit juridik, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 279, dhe “Dëmtim ose favorizim i kreditorëve”, nga neni 257 i Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

I kallëzuari V.R., gjatë periudhës 2019–2020, ndonëse ishte i vetëdijshëm se personi juridik ishte i paaftë për të paguar dhe se i kanosej falimentimi, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror dhe dëmtimit të kreditorëve, ka zvogëluar pasurinë nga e cila kreditorët mund t’i shlyenin kërkesat e tyre.

Në këtë kuadër, ai ka përvetësuar 10 automjete në vlerë prej 69.719.484 denarësh, skuterë në vlerë prej 545.000 denarësh dhe mallra tregtare në vlerë prej 4.457.322 denarësh. Këto pasuri nuk ishin të evidentuara me dokumentacionin përkatës dhe nuk u gjetën nga administratori i falimentimit, ndaj nuk u përfshinë në masën e falimentimit.

Për shkak të kësaj, kërkesat e kreditorëve në vlerë të përgjithshme prej 12.069.922 denarësh, prej të cilave 1.179.059 denarë ishin kërkesa të Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), mbetën plotësisht të pashlyera.

Gjithashtu, i kallëzuari i parë V.R., gjatë periudhës nga viti 2011 deri në vitin 2019, me vetëdije dhe me qëllim për të përfituar kundërligjshëm, ka tërhequr mjete monetare në para të gatshme në vlerë prej 53.872.587 denarësh, të evidentuara si “shpenzime materiale dhe udhëtimi”, pa përgatitur dhe dorëzuar dokumentacionin përkatës (kontrata, fatura, fletëdërgesa, dëftesa fiskale etj.) që do të dëshmonte justifikimin e tyre ekonomik në evidencën kontabël.

Këto mjete ai i ka përvetësuar për vete, ndërsa nuk ka llogaritur dhe paguar tatimin mbi fitimin në vlerë prej 5.387.259 denarësh dhe tatimin mbi të ardhurat personale në vlerë prej 5.985.244 denarësh.

Me veprimet e sipërpërmendura, përmes subjektit juridik, V.R. ka përfituar pasuri në mënyrë të kundërligjshme dhe i ka shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vlerë të përgjithshme prej 23.442.425 denarësh, në bazë të dëmtimit të kreditorëve, tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi të ardhurat personale.