Kallas: Koha për të përfunduar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnje, por pas forcimit të kapaciteteve vendore

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, tha në Sarajevë se ka ardhur koha që mbikëqyrja ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë të përfundojë, por shtoi se kjo mund të ndodhë vetëm kur vendi t’i ketë kapacitetet e nevojshme për të marrë vendime vetë.

Kallas ndodhet të hënën në një vizitë zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë, gjatë së cilës vizitoi kampin Butmir pranë Sarajevës, ku janë të vendosur pjesëtarët e Misionit të BE-së për Paqe, EUFOR.

EUFOR-i ka mandat edhe për të përdorur forcën, në rast se “mjedisi i sigurt dhe i qëndrueshëm kërcënohet seriozisht” apo “strukturat ekzistuese të sigurisë janë në rrezik të shemben”.

Kallas tha se ngjarjet e fundit në Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska paraqesin një mundësi të re për të qetësuar tensionet politike.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme mund të rivendosin besimin tek autoritetet lokale. Qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës meritojnë një shans për stabilitet dhe një shans për të marrë frymë lirshëm”, tha Kallas.

Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi më 18 tetor Ligjin për shfuqizimin e ligjeve që Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës i kishte shpallur të pavlefshme.

Bëhet fjalë për Ligjin për pasurinë e paluajtshme që përdoret për funksionimin e pushtetit publik, Ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës, Ligjin zgjedhor të Republikës Sërpska, Ligjin për ndalimin e veprimtarisë së institucioneve jashtëkushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës, Ligjin për plotësimin e Kodit Penal të Republikës Sërpska, si dhe Ligjin për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republikës Sërpska.

Kallas tha se Bashkimi Evropian iu përgjigj kërcënimeve ndaj rendit kushtetues të Bosnje dhe Hercegovinës në mars, duke forcuar trupat evropiane në këtë vend.

Ajo iu referua edhe zgjatjes së mandatit të EUFOR-it më 31 tetor, për ç’gjë votoi Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

“Bota e ka pranuar se ata e bëjnë Bosnje dhe Hercegovinën të sigurt, dhe se BE-ja ka bërë gjithçka që nga Dejtoni deri më sot për ta bërë Bosnje dhe Hercegovinën të sigurt”, shtoi ajo.

Kallas foli edhe për Programin e Reformave që ka miratuar Këshilli i Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës dhe që duhet t’i sigurojë këtij vendi mbi një miliard euro nga Plani i Rritjes i BE-së.

Bosnje dhe Hercegovina ishte e vetmja në rajon që vonoi gati dy vjet me miratimin e këtij dokumenti, dhe për shkak të kësaj vonese, shuma e parashikuar prej një miliard eurosh u ul për 108.5 milionë./REL