Kafenetë pritet të rihapen të hënën e ardhshme

Alsat mëson se nga e hëna tjetër kafenetë do të fillojnë të pranojnë klientë. Odat ekonomike sot i dorëzuan propozimet e tyre në Komisionin e Sëmundjeve Infektive, mbi atë si planifikojnë të punojnë objektet e hotelierisë në të ardhmen. Informacioni që morëm thotë që autoritetet fillimisht iu dërguan protokolle hotelierëve, të cilat përmbajnë kufizime të mëdha për rifillimin e veprimtarisë së tyre. Hotelierët besojnë se paravanet ose kufizime të ngjashme mbrojtëse midis klientëve në tryeza nuk do të jenë të detyrueshme.

Para së gjithash, logjika është një distancë sigurie midis klientëve. Kjo është e domosdoshme dhe më e rëndësishmja, shëndeti i klientëve dhe shëndeti i stafit. Me këtë mund të përmbushen standardet e sigurisë dhe të shëndetit. Sepse në rast të kufizimit të metrave katror do të përballemi me probleme në terren. Për sa i përket llojeve të ndryshme të tavolinave, karrigeve, mbulim të ndryshëm të hapësirës – deklaroi Martin Angelovski, Oda e hotelierëve pranë LOE.

Hotelierët me të madhe i përgatisin tarracat dhe lokalet për hapje, dhe për ti mirëpritur klientët e parë pas fillimit të krizës me koronën. Angelovski thotë se një metër e gjysmë është një distancë e mjaftueshme nga një karrige në tjetrën, që është në tryezën tjetër. Oda kërkon që në një tavolinë të ulen më shumë se katër klientë, dhe fëmijët të mos llogariten si klientë të rritur.

“Protokollet e punës nuk do të jenë të njëjta në të gjitha objektet e hotelerisë. Do të ketë disa rregulla për kafe baret, ndërsa tjera masa speciale për lokalet që shërbejnë ushqime, si kafenetë dhe restorantet. Përgatiten edhe protokolle të rrepta për punën hoteleve dhe kapaciteteve tjera akomoduese”.

Nga Komisioni për sëmundje infektive, i cili është përgjegjës për të vendosur kur do të munden objektet hotelierike të pranojnë klientë, nuk na zbuluan se cilat propozime ua dërguan hotelierëve dhe cilat ishin vërejtjet e tyre. Sektori i hotelerisë dhe turizmit ishte ndër të parët që u urdhërua të mbyllet me dekret të Qeverisë, si një nga masat parandaluese kundër përhapjes së koronavirusit. Përndryshe, informacioni ynë është se nga e hëna e ardhshme do të fillojnë të punojnë edhe Qendrat e mbyllura tregtare në të gjithë vendin, por me orar të shkurtuar të punës.