Kaçanik, lumi “Lepenc” dhe lumi “Nerodime” dalin nga shtrati

Komuna e Kaçanikut në Kosovë ka njoftuar se lumi “Lepenc” dhe lumi “Nerodime” kanë dalë nga rrjedha normale e shtratit nëpër disa vende.

Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave në Kaçanik bëri të ditur se deri më tani situata është e menaxhueshme, ndërsa është intervenuar në shtratin e lumit “Lepenc”, ku uji ka dalë nga rrjedha në afërsi të vendit i quajtur “SANKOS”.Po ashtu edhe lumi “Nerodime” ka dalë nga shtrati në fshatin Stagovë. Sipas Komunës, janë përfshirë vetëm livadhe e jo ndonjë shtëpi banimi.

“Kompania për mirëmbajtjen e rrugëve lokale së bashku me ekipet e emergjencave që veprojnë në kuadër të komunës së Kaçanikut në vazhdimësi po qëndrojnë në terren për të përcjellë nga afër gjendjen dhe për të intervenuar në raste te nevojshme”, theksohet në njoftimin e Komunës së Kaçanikut.

Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave në Kaçanik, Ramadush Osmani, njoftoi se në përgjithësi situata deri më tani është nën kontroll, rrugët janë të qarkullueshme, ndërsa edhe tek përrenjtë nuk është paraqitur ndonjë telashe.

“Ekipet emergjente janë në gjendje gatishmërie për ndonjë rast eventual për intervenim”, vazhdon njoftimi i Komunës.

Komuna e Kaçanikut ka kërkuar nga qytetarët që të shtojnë kujdesin në qarkullimin e tyre në akset rrugore ku mund të paraqiten vështirësi kalimi nga vërshimet.