Ka shkuar në të paktën 5,000 numri i të vdekurve nga protestat në Iran

Një zyrtar iranian në rajon ka thënë të dielën se autoritetet kanë verifikuar se të paktën 5,000 njerëz janë vrarë në protestat në Iran, përfshirë rreth 500 personel sigurie, duke fajësuar “terroristët dhe protestuesit e armatosur” për vrasjen e “iranianëve të pafajshëm”.

Zyrtari, i cili nuk ka pranuar të identifikohej i ka thënë gjithashtu Reuters se disa nga përleshjet më të rënda dhe numri më i lartë i vdekjeve ishin në zonat kurde iraniane në veriperëndim të Iranit, një rajon ku separatistët kurdë kanë qenë aktivë dhe ku shpërthimet kanë qenë ndër më të dhunshmet në periudhat e kaluara të trazirave.

“Numri përfundimtar nuk pritet të rritet ndjeshëm”, ka thënë zyrtari, duke shtuar se “Izraeli dhe grupet e armatosura jashtë vendit” kishin mbështetur dhe pajisur ata që dilnin në rrugë.

Autoritetet iraniane fajësojnë rregullisht për trazirat armiqtë e huaj, përfshirë Izraelin, një armik të betuar të Republikës Islamike e cila nisi sulme ushtarake ndaj Iranit në qershor.

Grupi i të drejtave të njeriut HRANA me seli në SHBA ka thënë të shtunën se numri i të vdekurve kishte arritur në 3,308. Grupi ka thënë se kishte konfirmuar më shumë se 24,000 arrestime.

E grupi i të drejtave të kurdëve iranianë Hengaë, me seli në Norvegji, ka thënë se disa nga përleshjet më të rënda gjatë protestave që shpërthyen në fund të dhjetorit ishin në zonat kurde në veriperëndim.