Shkruan: Fitim Nuhiu
Detyra e intelektualëve është të kërkojnë të vërtetën në mes gabimeve.
– Romain Rolland
Intelektuali (kupto: gazetari, shkrimtari, artisti) duhet të jetë gjithnjë përgjegjës për fjalën e thënë e të shkruar, ai duhet të jetë i aftë që ta mbrojë atë në mënyrë të denjë në çdo rrethanë e situatë, përndryshe mos ta thotë e mos ta shkruajë aspak.
Gazetari Nuhi Bytyçi ka marrë ftesë zyrtare nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për të dëshmuar në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, të hënën pasdite, më 3 qershor. Ai ishte i ftuar në cilësinë e dëshmitarit për disa të dhëna të përmendura në librin e tij “Libri i Luftës” që ai ka shkruar si libër kujtimesh duke apostrofuar raportimet e tij gjatë periudhës së luftës së Kosovës, mirëpo si duket ky libër u mor si bazë dhe lëndë kundër “tij” dhe krerëve të UÇK-së.
Ai mes tjerash ka deklaruar si në vijim:
“Unë jam përpjekur ta them të vërtetën dhe pashë se një pjesë e madhe e librit është përdorur këtu nga prokuroria si dokument i kësaj gjykate. Ju lus të keni parasysh faktin se këto janë kujtimet e mia dhe të mos ndikojnë në aktgjykimin e kësaj gjykate…”
“Nuk dua që kjo Gjykatë e sidomos Prokuroria (Matt Halling), këtë libër timin ta konsiderojë si një dëshmi për të akuzuar luftëtarët e lirisë”.
“Bytyçi sërish insistoi që ai e kishte bërë një punë objektive gjatë kohës së luftës, por e kishte edhe qëllim që UÇK-në ta paraqiste si ushtri të fuqishme dhe serioze, pasi sipas tij ajo ishte ushtri e cila nuk bënte krime ndaj popullatës civile serbe”.
“Gjatë dëshmisë së tij dëshmitari Nuhi Bytyçi pohoi se gjatë punës së tij si gazetar ka treguar një nivel organizimi dhe pushteti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që në fakt nuk ishte realiteti i asaj kohe”.
“Ky libër është botuar pas luftës dhe jam përpjekur që ta prezantoj në mënyrë sa më origjinale punën time si gazetar dhe t’i paraqes pikëpamjet e mia për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si i kam pa këta djem të ri dhe vashat e reja vullnetarë dhe jam munduar ta afirmoj pak më tepër sesa duhet dhe nuk kam llogaritë që libri do të shërbejë këtu para Prokurorisë dhe kësaj Gjykate për t’i akuzuar ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Ta keni parasysh këtë se ky është libër publicistik dhe jam munduar që vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës t’i ngris sa më lartë dhe të gjithë luftëtarët e UÇK-së t’i ngris në nivelin e duhur sepse ne nuk mund të themi se s’ka pas luftë, s’ka pas UÇK. Ka pas luftë, ka pas UÇK dhe falë sakrificës së luftëtarëve të lirisë, falë sakrificës së popullit, falë sakrificës së dëshmorëve të lirisë dhe falë ndihmës së NATO-s, Kosova është çliruar dhe sot është shtet i pavarur edhe për këtë punë unë e ndjej vetën krenar që kam arritur sa do pak të kontribuoj në informimin e opinionit për këtë”, tha Nuhi Bytyçi.
“Kam thënë edhe në libër dëshmohet se këto janë kujtimet e mia, memoriet e mia si gazetar dhe kurrsesi si historian sepse historia shkruhet në bazë të dokumenteve konkrete, në bazë të fakteve, edhe pse edhe këtu ka fakte konkrete, por këto janë pikëpamje të miat si gazetar për ngjarjet që kam pas fatin t’i ndjekë para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës”.
Të gjitha këto paragrafë të lartpërmendura i perifrazuam, që ta dimë se si ka rrjedhur ngjarja në fjalë, ku vihet në pah se roli i intelektualit në shoqërinë tonë si duket akoma nuk është definuar siç duhet, akoma edhe vet intelektuali i hapësirave tona e percepton veten si të pavlerë në shoqëri, që nuk ia lexon (dëgjon) fjalën e thënë, që nuk i peshon fjalët e tij, nuk ia jep rëndësinë e duhur, prandaj edhe shkruan dhe flet gjëra që t’ia bëj qejfin vetes ose popullit të vet, apo një shtrese të caktuar shoqërore, duke mos kërkuar të vërtetën e duke mos pasur idenë dhe qasjen ta thotë realitetin, të drejtën dhe të vërtetën qoftë edhe nëse është kundër tij.
Gjykata në fjalë nxori në pah folklorizmin tonë intelektual se në çfarë derexheje jemi katandis, nxori në dritë qasjen tonë se ne akoma s’jemi mësuar të shkruajmë e të “raportojmë” gjërat me ftohtësi intelektuale, sepse jo vetëm që mund të dëmtojmë veten tonë e t’i hapim vetes telashe, por të dalim edhe qesharak para një Gjykate të tillë ndërkombëtare.
Bota progresive i ka kaluar këto etapa me kohë, ka kaluar etapën e romantizmit nacional e folklorik dhe gjërat i sheh me një fushëpamje të realtë e të vërtetë, historinë e sheh me dritëhijet e veta, gjë që i ndihmon brezave të ardhshëm që të dinë rrugëtimin e tyre prej nga erdhën dhe kah duhet të vazhdojnë e të rrugëtojnë e jo sikur ne, duke rehabilituar figura të ndryshme historike, e si pasojë, edhe sot jemi të hutuar edhe po vazhdojmë t’i hutojmë brezat që do të vijnë më pas, mes dilemave se “kush ishte heroi e kush tradhtari”.
Në bazë të gjithë atyre që pamë dhe lexuam nga mediet e shkruara dhe ato vizive për këtë ngjarje, domosdoshmërisht vijmë në përfundimin se ne nuk duhet t’i frikësohemi edhe aq shumë kësaj Gjykate Ndërkombëtare apo cilësdoqoftë institucioni të tillë aq shumë, sa që duhet të frikësohemi të mos themi broçkulla e të mos hiperbolizojmë histori të paqena, histori të sajuara e të “ngrisim humorin dhe moralin te shoqëria”, pra duhet urgjentisht të instalojmë qasjen dhe idenë që duhet t’i frikësohemi një Gjykate më të Lartë se ajo e Hagës, e ajo është Gjykata e Ndërgjegjës (morale), ndërgjegjes ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve, ndërgjegjës së vetëkritikës, ndërgjegjës për ta thënë e për ta shkruar të vërtetën, etj, sepse përndryshe ia bëjmë varrin vetes, duke qenë akoma të gjallë.
P.S. Në këtë shkrim nuk desha të merresha dhe të fokusohesha aq shumë me emrin e personit në fjalë, porse desha vetëm ta shfrytëzoja këtë rrethanë të krijuar e ta trajtoja me shqetësim këtë fenomen shqiptar që ka marr hov “duke ngritur përmendore edhe aty ku s’pati heronj”.