Juventusi dhe Kenan Yildiz ende nuk kanë arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratës.
Sipas La Gazzetta dello Sport, bisedimet mes palëve janë aktualisht të ngrira, një situatë që po fillon të shkaktojë shqetësim në kampin bardhezi.
Talenti turk tashmë është në qendër të projektit teknik të klubit, aq sa ka trashëguar fanellën me numrin 10.
Megjithatë, paga e tij aktuale, nuk reflekton më rolin dhe rëndësinë që ai ka në skuadër.
Rrethi i lojtarit po kërkon një rritje të ndjeshme page, me shifra që shkojnë nga 5 deri në 6 milionë euro në sezon.
Propozimi i Juventusit thuhet se nuk është shumë larg këtyre kërkesave, por struktura e kontratës, e bazuar kryesisht në bonuse, ka krijuar një ngërç në negociata.
Ky ngadalësim rrezikon të tërheqë vëmendjen e klubeve të mëdha të Ligës Premier, të gatshme të paraqesin oferta financiarisht të paarritshme për Juventusin.






