Justina Shiroka-Pula merr zyrtarisht detyrën e presidentes së Kosovës

Pas zgjedhjes me 81 vota në Kuvend, Justina Shiroka-Pula ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Në ceremoninë e inaugurimit, Albulena Haxhiu ia ka dorëzuar Kushtetutën e Kosovës.

Justina Shiroka-Pula ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Në ceremoninë e marrjes së detyrës, ushtruesja e deriatëhershme e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës presidentes së re.

Shiroka-Pula u zgjodh presidente me 81 vota të deputetëve, në votimin e zhvilluar në mesnatën mes së martës dhe së mërkurës, vetëm pak para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Zgjedhja e saj erdhi pas marrëveshjes politike ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, duke shmangur shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve”

Pas zgjedhjes në krye të shtetit, Shiroka-Pula deklaroi se do ta ushtrojë detyrën si presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ajo tha se e pranon postin me nder dhe përgjegjësi të madhe, duke theksuar rëndësinë e detyrës që i është besuar.

Presidentja e re ka një karrierë të gjatë në fushën akademike dhe institucionale. Ajo ka udhëhequr Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa më herët ka mbajtur edhe poste të larta publike.

Shiroka-Pula ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës gjatë viteve 2008–2011.

Ajo ka qenë gjithashtu deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së gjatë periudhës 2011–2014.

Me marrjen zyrtare të detyrës, Justina Shiroka-Pula nis mandatin si presidente e Republikës së Kosovës, në një periudhë të rëndësishme për vendin pas një krize të gjatë institucionale./Albinfo.ch